E Martë, 3 Nëntor 2026

Balla: Anëtarësimi në BE, synojmë finalizimin para Krishtlindjeve 2027

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Ministri i Shtetit për marrëdhëniet me Kuvendit, Taulant Balla  theksoi sot në Kuvend progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Nëse do t’i referoheshim miratimit të raportit të djeshëm në komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Europian dhe fjalës së iniciuesit ose hartuesit të raportit, mikut të mirë të Shqipërisë, Andreas Schieder, që tha: ‘Shqipëria me krenari mund të quhet një nga favoritët kryesorë ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE.’ Kjo i thotë të gjitha”, deklaroi Balla.

Duke iu referuar pritshmërive konkrete të qeverisë shqiptare, Balla informoi deputetët mbi objektivat ambiciozë që janë vënë për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit:

“Dua të informoj Kuvendin edhe për pritshmëritë tona sa i takon përmbylljes së këtij procesi. Synojmë brenda këtij muaji të hapim të gjitha kapitujt dhe të mbyllim marrëveshjen para Krishtlindjeve 2027. Dhe kur të vijmë në Kuvend për të prezantuar buxhetin për vitin 2028, të kemi përmbyllur të gjithë kapitujt e marrëveshjes për anëtarësim dhe të ecim përpara me procesin e ratifikimit nga vendet anëtare.”

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian ka vlerësuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për anëtarësim në BE në një raport të miratuar të mërkurën.

“Eurodeputetët theksuan konsensusin e gjerë politik të Shqipërisë dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësim në BE, së bashku me përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, sipas një raporti të miratuar nga Komisioni i Punëve të Jashtme me 57 vota pro dhe 11 kundër, me 6 abstenime.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›