E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Paqja mes Rusisë dhe Ukrainës, më e largët nga sa duket

UKRAINË, 5 qershor /ATSH/ – Edhe para se negociatorët ukrainas dhe rusë të takoheshin në sallën e konferencave në pallatin e famshëm ”Ciragan” të Stambollit, më 2 qershor, kishte pak optimizëm për përparim të madh drejt paqes.

Pas vetëm rreth një ore bisedimesh, ishte e qartë se edhe kjo pritje ishte tepër optimiste.

Të nesërmen, këtë e konfirmoi edhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.

“Bisedimet e Stambollit nuk janë për të arritur një paqe kompromisi sipas kushteve iluzore të dikujt tjetër, por për të siguruar fitoren tonë të shpejtë dhe shkatërrimin e plotë të regjimit neonazist”, shkroi në Telegram Medvedev, i cili tani është zyrtar i lartë në Këshillin e Sigurisë së Rusisë.

Rundi i dytë i negociatave për t’i dhënë fund luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, përfundoi me më pak rezultate se rundi i parë.

Bisedimet e para, muajin e kaluar, shënuan përballjen e parë mes Kievit dhe Moskës që nga javët e para pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Ukraina dërgoi një grup zyrtarësh të nivelit të lartë; Rusia dërgoi një delegacion të kryesuar nga ish-ministri i Kulturës, Vladimir Medinsky.

Fakti që ata ranë dakord për të shkëmbyer deri në 1.000 të burgosur lufte, u konsiderua si sukses.

Propozimet për paqe

Në prag të bisedimeve të 2 qershorit, të dyja palët pritej t’i shkëmbenin propozimet e tyre specifike për kornizën e një marrëveshjeje të paqes.

Ukraina, e cila tha se ia kishte transmetuar planin e saj paraprakisht Kremlinit, kërkoi, ndër të tjera, një armëpushim 30-ditor pa kushte, shkëmbimin e të gjithë të burgosurve të luftës, si dhe kthimin e fëmijëve ukrainas që, sipas Kievit, janë rrëmbyer nga Rusia.

Ashtu si edhe më parë, Ukraina dërgoi në bisedime ministrin e saj të Mbrojtjes, Rustem Umerov.

Rusia refuzoi të ndante planin e saj paraprakisht – gjë që u pa si një shenjë e keqe.

Edhe udhëheqja e delegacionit rus sërish nga Medinsky u pa si një ogur i zi.

“Do të ishte gabim të pritej ndonjë përparim i menjëhershëm në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 3 qershor.

Kur dokumenti rus u publikua përfundimisht në agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, ai konfirmoi frikën më të madhe të vëzhguesve për kushtet që Moska i vë për paqen.

Propozimi rus kërkon, mes tjerash, njohjen ndërkombëtare të Krimesë – gadishullit ukrainas që Moska e ka aneksuar në vitin 2014 – si dhe të katër rajoneve ukrainase që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse./  (REL)   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›