E Martë, 3 Nëntor 2026

Balla: “Bufi” e vodhi dhe e dogji Shqipërinë sa herë iu dha mundësia

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u shpreh sot se “bufi” e vodhi dhe e dogji Shqipërinë sa herë iu dha mundësia, ndërsa përmes një videoje në rrjetet sociale u kujtoi shqiptarëve skemat piramidale të vitit 1997.

Balla tha se në kohën kur ishte president, Berisha mbajti përgjegjësi për lejimin e firmave piramidale, ku shqiptarët humbën miliona lekë, shtëpitë dhe kursimet, si dhe hapjen e depove të armëve që e zhytën vendin në një konflikt civil të paprecedent.

Balla e shoqëroi postimin me videon e një pjese nga dokumentari i “Top Channel”, ku shfaqet një dokument i Bankës së Shqipërisë në atë kohë, që e paralajmëronte Berishën për mashtrimin nga firmat piramidale.

Kjo mbështetet edhe nga një intervistë e ish-zv.kryeministrit të kohës, Tritan Shehu, që thoshte se Berisha u paralajmërua prej tij dhe ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, por përgjigja ishte se: “Çdo gjë ishte në rregull, pasi firmat piramidale mbaheshin nën kontroll nga SHIK-u”.

Balla ka theksuar se Berisha nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë politike dhe morale për një nga periudhat më të errëta në historinë e Shqipërisë së pas ’90-ës.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›