E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Rritja më e lartë në rajon e prodhimit të brendshëm bruto me 2,5 herë

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së gjatë takimit sot  me qytetarët në Kukës, në kuadër të takimeve elektorale për zgjedhjet e 11 majit, tha se “në një dekadë prodhimi i përgjithshëm kombëtar është rritur 2,5 herë, rritja më e lartë në rajon”.

Rama shtoi se, nëse mesatarja e rritjes së PBB për vendet e tjera është afro 65%, për Shqipërinë është mbi 100%.

Sa i përket të ardhurave për frymë, Rama theksoi se “në 2013-ën ishin 3330 euro. 10 300 euro janë në 2024-ën, 3 herë më shumë. Projeksioni i Shqipërisë 2030 është 15 mijë euro”.

Rama u ndal edhe tek borxhi publik që siç tha ai, është një nga pikat kyçe të matjes së shëndetit të një ekonomie.

“Ne kur morëm detyrën, kishim borxh publik të lartë zyrtarisht 70.4%, por përveç kësaj shifreje zyrtare, ne gjetëm edhe një borxh të fshehur ose më saktë të padeklaruar që ishte borxhi i krijuar ndaj kompanive sepse të gjitha kompanitë që kishin angazhime me shtetin, kishin ndalur së dhëni shërbimet apo së kryer punët. Kompanitë e rrugëve, për shembull, nuk vazhdonin më punën, kompanitë që furnizonin spitalet me ilaçe apo që furnizonin shkollat me mjete mësimore nuk bënin më furnizime, për arsye se prej disa kohësh nuk paguheshin më”, u shpreh Rama.

Rama tha se “niveli i kredive të këqija kur ne morëm detyrën ishte pothuajse 25% që konsiderohet një pikë alarmi të kuq për qëndrueshmërinë e sistemit financiar, ndërsa kreditë e këqija janë 4% që është një nivel krejtësisht normal”.

Në lidhje me inflacionin, vijoi Rama, rritja e çmimeve ka qenë një karakteristikë e gjithë viteve të fundit botërisht edhe në Europë dhe megjithatë Shqipëria ka pasur nivelin më të ulët të inflacionit.

“Kemi pasur një nivel rreziku të rënies në varfëri afro 25% dhe sot jemi nën 20% dhe ky nivel që kemi sot po të shikoni në tabelë, këtu ka disa vende që janë vende të rajonit dhe të Bashkimit Europian, është një nivel mesatar lehtësisht i gjindshëm edhe në vende të tjera”, tha Rama .

Sa i takon pabarazisë në të ardhura, vijoi Rama, Shqipëria praktikisht renditet përsëri në një pozicion të arsyeshëm me një sërë vendesh të tjera të Bashkimit Europian.

Rama u ndal tek papunësia. “Sot kemi nivelin më të ulët të papunësisë ndonjëherë qysh nga fillimi i tranzicionit asokohe dhe kur e kemi marrë detyrën kishim një nivel papunësie goxha të lartë, 17,5% dhe sot për herë të parë kemi papunësi njëshifrore”, tha ai. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›