E Martë, 3 Nëntor 2026

Balla: Dy në tre votues nga jashtë votuan për rrugëtimin historik të Shqipërisë në BE

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla gjatë një komunikimi me gazetarët sot nga Parku Olimpik, aty ku u numëruan votat e ardhura nga jashtë, Balla tha se ka pasur një koeficient kthyeshmërie shumë të lartë të votave nga jashtë në krahasim me vendet e tjera. Sipas Ballës, nga 246 mijë bashkatdhetarë të regjistruar për votimin nga jashtë në zgjedhjet e 11 majit, mbi 200 mijë i kthyen zarfet.

“Falënderoj ata që besuan dhe mbështetën Edi Ramën dhe PS për të vazhduar rrugën drejt Bashkimit Evropian. Dy nga tre votues nga jashtë i kanë dhënë besimin Edi Ramës dhe PS-së për ta përmbyllur këtë rrugëtim historik të Shqipërisë sonë drejt anëtarësimit në BE”, tha Balla.

Balla u ndal edhe te zhvillimet politike të kësaj jave, duke e konsideruar një kontekst të bukur dhe historik faktin që menjëherë pas zgjedhjeve, Tirana u shndërrua në kryeqytetin evropian për shkak të Samitit Politik dhe pjesëmarrjes së një numri të madh liderësh politik nga e gjithë bota.

Drejtuesi Politik i PS-së për Diasporën falënderoi edhe zgjedhësit që nuk votuan forcën politike ku ai bën pjesë, ndërsa tha se një në tre persona menduan përmes votës së tyre se mund të jetë një tjetër forcë politike. Por, sipas Ballës, kjo është një shtysë për të punuar më shumë gjatë këtij mandati dhe për ta rritur edhe më shumë besimin e tyre.

“Jam i sigurt që në vitin 2029, do të jenë më shumë bashkatdhetarë që do të regjistrohen për të marrë pjesë përsëri në zgjedhjet e votuesve nga jashtë”, vijoi ai.

I pyetur nga gazetarët lidhur me kërkesën e disa kandidatëve për deputetë për qartësim të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit dhe pakënaqësitë mbi procesin, Balla tha se secili ka të drejtë që të kërkojë transparencë.

“Por, falë parashikimeve të vendosura në Kodin Zgjedhor, është KQZ që do të bëjë një transparencën të plotë të këtij procesi në një moment të dytë. KQZ parashikon që partitë politike kanë një proces të tyrin. Pati një pretendim nga ana e PD-së për të ndarë veçmas votat që kishin ardhur nga Greqia, ndërsa kjo rriti kohën e numërimit. Unë insistoj për transparencë në këtë këndvështrim, edhe për shkak të numrit të madh të orëve të gjata dhe pamjeve të gjata filmike, por më mirë seç e ka bërë KQZ këtë proces nuk e bën asnjë”, tha Balla.

Balla tha se secili është pjesë e një ekipi dhe PS respekton vullnetin e gjithë qytetarëve dhe atyre që nuk e kanë votuar këtë forcë politike.

“Por, nga viti 2009 për efekt transparence ne kemi kërkuar të hapeshin kutitë dhe të rinumëroheshin dhe në momentin që na erdhi mundësia këtë e kemi kodifikuar në Kodin Zgjedhor, dhe ja kemi lënë KQZ-së që ta bëjë transparencën”, përfundoi Balla.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›