E Martë, 3 Nëntor 2026

Balla: Goditje fenomenit të armëmbajtjes pa leje

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot pas aksioneve të Policisë së Shtetit kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje.

Duke publikuar pamje nga aksionet e policisë, Balla shkruan se, “policia vijon goditjen e fenomenit të armëmbajtjes pa leje. Përgëzime Policisë së Shtetit Elbasan, Vlorë dhe Tiranë për rezultatet kundër armëmbajtjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”, u shpreh Balla.

Nga pamjet e bëra publike bëhet e ditur se në operacionin e koduar “Kalibri”, në Elbasan është finalizuar si rezultat i një hetimi tremujor, janë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 1000 fishekë luftarak të kalibrave të ndryshëm, 4 krehra armësh, 2 kapsolla detonatore, 1 jelek antiplumb, një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe 1 automjet.

Gjithashtu është arrestuar në flagrancë 28-vjeçari që lëvizte me armën e zjarrit me vete dhe që mbante sendet e tjera të sekuestruara, në banesë, dyshohet me qëllim trafikimin.

Ndërsa në Vlorë është finalizuar operacioni policor i koduar “Strike 17”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Policia ka arrestuar në flagrancë një 24-vjeçar që mbante në banesë, armë zjarri pistoletë, armë sportive dhe doza cannabisi. Gjithashtu janë sekuestruar armët, municioni luftarak dhe dozat e lëndës narkotike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›