Nën akuzë për pastrim parash me inceneratorin e Fierit, arrestohet në Itali Juri Ymeraj

Arrestohet në Padova të Italisë Juri Ymeraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar i përfshirë në aferën e inceneratortit të Fierit.
35-vjeçari Ymeraj rezulton i përfshirë në inceneratorin e Fierit, ku përmes kompanive që ai kishte krijuar realizonte pastrimin e parave përmes faturave fiktive. 35-vjeçari pritet të ekstradohet në Shqipëri ku do të përballet me drejtësinë.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, transaksionet e inceneratorit të Fierit me kompanitë “Pivot 04” sh.p.k, “Sili” sh.pk, ‘JPY’ sh.p.k, janë fiktive dhe se ato janë krijuar posaçërisht për t’u përdorur për të mbuluar natyrën e vërtetë të kryerjes së këtyre transaksioneve.
Këto kompani Ymeraj i ka kryer së bashku me Arbër Denizi dhe Silvester Driza. Në nëntor të vitit 2022, GJKKO ka vendosur ndaj tij në mungesë masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Pastrim te produkteve te veprës penale”.
Lidhur me aferën e inceneratorit të Fierit, Gjykata e Posaçme dënoi në shtator të 2023 me 6 vite e 8 muaj burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka për të tri akuzat si dhe i hoqi edhe të drejtën për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vjet.
GJKKO dënoi me 2 vjet e 8 muaj burgr Alqi Bllakon, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, për “shpërdorim detyre të nëpunësit që kryen detyrë publike”.
Sipas SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.
/rtsh.al/