E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Kushtetuta nuk e ka të parashikuar pezullimin e një ministri

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli sot lidhur me çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Balla theksoi, gjatë një interviste televizive, se Gjykata Kushtetuese ka të shkruar se ministri emërohet ose shkarkohet, por nuk parashikon pezullimin.

“Gjykata Kushtetuese më vjen shumë keq që po merr kaq shumë ditë për t’u shprehur për këtë. Gjykata Kushtetuese përgjigjen e ka të qartë në Kushtetutë në rastin e ministrit, sepse në rastin e ministrit, Kushtetuta e ka barazuar me deputetin dhe deputeti nuk pezullohet dhe për pasojë as ministri nuk pezullohet. Nuk kanë qenë budallenj ata që kanë shkruar këtë libër (Kushtetutën), që kur kanë shkruar për ministrin, kanë shkruar që ministri emërohet ose shkarkohet. Pse nuk e dinin ata që ministri pezullohet?! Por nuk ka një vend në botë që e ka këtë, pra që ka: emërohet, pezullohet, ose shkarkohet. Ka vetëm emërohet dhe shkarkohet. Janë nisur me parimin që ministri nuk pezullohet”, tha Balla.

Balla shtoi se në vlerësimin e tij “nuk ka të drejtë gjykata, një prokuror, një gjykatës, që të pezullojë një ministër”.

“Tek pushteti gjyqësor, nëse duhet të marrë një vendim pezullimi për një gjyqtar tjetër, nuk mund ta bëjë këtë vetë. Për rastin e një gjyqtari, pezullimin e merr Këshilli i emërtesës, organi emërtesës ose Gjykata Kushtetuese të thotë se duhet të pasurohet e drejta kushtetuese edhe me një element tjetër, me pezullimin, ose siç e shoh unë, sikurse deputeti, ministri nuk pezullohet. Ka edhe një element tjetër, sapo ka ndodhur akti i pezullimit, i është hequr e drejta të delegojë firmën tek një tjetër. Në situatën që jemi Kryeministri është në pamundësi të ushtrimit të të gjithë kompetencave të tij, sepse nuk mund të delegojë kompetencat tek askush tjetër përveçse të zëvendëskryeministri.

Minimalisht, përderisa tek pushteti gjyqësor, ia ka lënë parlamentit të pushtetit gjyqësor që është KLGJ-ja, të njëjtën gjë mund të bëjë edhe për ministrin. Mund të pezullohet, por kjo do normë të re kushtetuese, sa kohë kjo nuk është, ti mund të kërkosh një masë tjetër”, tha Balla.

Balla u ndal edhe tek zgjedhja e Avokatit të Popullit. Kreu i grupit të PS-së tha se Partia Socialiste është e interesuar që të ketë një Avokat të ri Populli dhe kjo të realizohet në respekt të traditës parlamentare, pra emri duhet të vijë nga opozita.

Kjo është arsyeja sipas tij, pse Partia Socialiste nuk ka propozuar një kandidaturë. Sa i përket emrave që janë propozuar, ai tha se mazhoranca do ta vendosë se kë do të mbështesë në datën 9 dhjetor, teksa votimi është parashikuar në seancë plenare më 11 dhjetor.

“Në ditën e parë të fillimit të këtij procesi i kam kërkuar grupit parlamentar që asnjë deputet i PS-së të mos mbështesë me firmë asnjë kandidat për arsyen se nuk na takon ne të mbështesim me firma një kandidat dhe vlerësojmë që duhet të vijë nga opozita në respekt jo të normës së ligjit, por të normës së traditës parlamentare. Kam qenë i gatshëm tre vite e kusur të bëjmë një marrëveshje për këtë ndoshta e ngjashme si ajo e 17 majit dhe nuk ka pasur gatishmëri për këtë. E kam thënë në grup që të mbyllet ky proces pa firmën e asnjërit. Pasi ne të shohim kush janë ata që kanë ardhur si propozime të opozitës, me firma nga deputetët e opozitës pasi asnjë nga palët e opozitës nuk ka ekskluzivitetin e opozitës. Ditën e martë do të rimbledhim grupin parlamentar për të diskutuar mbi një nga kandidaturat. Të martën në datën 9, sepse më datë 11 është planifikuar të jetë votimi”, tha Balla.

Ai theksoi se në Kuvend ka forca të tjera politike në opozitë, përveç Partisë Demokratike, që nuk do ta bojkotojnë procesin.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›