Balla: Ministria e Financave, “roje” fiskale e të gjitha koncesioneve

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se projektligji “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat” merr në konsideratë të gjitha sugjerimet, gjetjet dhe kritikat që janë bërë ndër vite.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Balla tha se “nuk jemi në sistemin komunist ku të gjitha shërbimet publike duhen ofruar vetëm nga paratë publike”.
“Opozitë si ju ne na bëni nder. Unë të isha deputet i opozitës dhe të mbaja mend se çfarë kam thënë në gjithë këto vite do vija ta votoja ligjin që keni para. Ligji merr në konsideratë të gjitha sugjerimet, gjetjet, kritikat që janë bërë ndër vite përfshirë këtu rekomandimet nga Komisioni Europian”, tha Balla.
Sipas tij, po i jepet një autoritet i “rojes” fiskale Ministrisë së Financave dhe kjo është normale.
Balla u shpreh se vetë opozita duhet të jetë dakord që mos të kalojë asnjë koncesion pa marrë miratimin e Ministrisë së Financave.
“Në këtë sistem që kemi zgjedhur një pjesë e shërbimeve publike kryhen nga privati, por ne duam t’i kontrollojmë”, theksoi Balla.
Në përfundim, Balla uroi në emër të grupit parlamentar të PS-së drejtuesin e ri të SPAK, Klodian Braho.
“Sot u krye një proces siç i ka hije një vendi që konsolidon ditë pas dite institucionet e drejtësisë. Mes 4 kandidatëve njëri prej tyre u zgjodh kryetar i SPAK. Uroj që të çojë më tej punët e mira të nisura nga drejtuesi që sapo përfundoi mandatin, Altin Dumani”, tha Balla. /j.p/