“Lëvizja Bashkë”, protestë para Kuvendit kundër buxhetit 2026

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Partia “Lëvizja Bashkë” e drejtuar nga Arlind Qori zhvilloi sot përpara Kuvendit të Shqipërisë protestë për të kundërshtuar buxhetin që pritet të miratohet këtë seancë plenare.
Protesta, së cilës i janë bashkuar një grup qytetarësh, organizohet në një kohë kur Kuvendi po debaton për disa ligje të rëndësishme përfshirë buxhetin 2026 dhe paketën fiskale.
Me pankarta “Populli kundër korrupsionit dhe varfërisë” në duar ata kërkojnë po ashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të zv.kryeministres së pezulluar Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke e akuzuar qeverinë si të korruptuar.
Ndërkohë para kryeministrisë po vijon protestën kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, me kërkesën për largimin e kryeministrit Rama.
/m.m/j.p/