E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Po e shisni non gratën si sukses të protestës, prisni njoftimin zyrtar nga SHBA

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Taulant Balla tha sot në Kuvend, gjatë një replike me deputetin e Partisë Demokratike Belind Këlliçi, se po përpiqet ta paraqesë si sukses të protestës një zhvillim për të cilin nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet amerikane.

“Po na thuhet sot këtu që protesta e ka arritur suksesin e parë dhe është hequr non grata. Madje ndryshuat edhe sloganin. Thoni se protestuesit nuk do të thërrasin më ‘Berisha në burg’, por ‘Berisha në Uashington’”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist tha se nuk mund të komentojë informacione të bazuara në biseda telefonike apo burime jozyrtare, duke theksuar se një çështje e tillë mund të konsiderohet e mbyllur vetëm pas një njoftimi zyrtar nga institucionet përkatëse amerikane.

“Statusi non grata është vendosur mbi bazën e seksionit 7031 (c). Unë do ta komentoj vetëm kur të ketë një njoftim zyrtar nga DASH ose nga ambasada amerikane. Nuk komentoj biseda telefonike, sepse nuk është korrekte dhe nuk është institucionale”, u shpreh ai.

Balla akuzoi gjithashtu opozitën se po përpiqet të përvetësojë protestën kundër projektit në Zvërnec dhe të ndryshojë karakterin e saj.

“Kot lodheni ta vidhni protestën. Jo Sali Lushën të çoni atje, jo të gjithë ju të shkoni në protestë, ajo nuk bëhet pronë e juaja”, tha Balla.

Në fund të fjalës së tij, ai theksoi se mazhoranca mbetet e fokusuar te qeverisja dhe procesi i integrimit europian të vendit.

“Ne kemi një mandat për të qeverisur vendin dhe për të përmbyllur marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ju kemi mundur dhe do t’ju mundim më thellë në vitin 2029”, përfundoi Balla.

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi tha më herët në Kuvend se, “sot një padrejtësi shumë e madhe është zhbërë nga DASH, një padrejtësi e madhe që ka rënë mbi popullin shqiptar. Një padrejtësi e sponsorizuar dhe lobuar nga Edi Rama, i cili nuk ka lënë lobim përmes Sorosit për të zhbërë opozitën në Shqipëri. Aktakuza më e madhe për PS është heshtja juaj (i drejtohet deputetëve të PS – shën. i red.)”, tha Këlliçi.

“Dëmet që i keni bërë këtij vendi, pasojat do të jenë të tmerrshme. Vetëm dje Balla përmendi oqeanin, që kreu i PD nuk e kalonte dot oqeanin. Po sot çfarë komenti keni për këtë?”, vijoi Këlliçi.

“Ju sot i keni hequr mundësinë deputetëve për të folur për atë protestë. Protestat ka pesë kërkesa të qarta, duke nisur nga dorëheqja e kryeministrit. Pse nuk keni sjell asnjë projektligj për shqyrtim, ndryshe nga sa ndodh më herët, përse u bë kjo? Për t’i hequr mundësinë çdo deputeti, për t’i hequr 10 minuta diskutim çdo deputeti për të folur për protestën”, tha Këlliçi, duke shtuar se slogani i ri i protestës do të jetë: “Rama në burg, Berisha në Uashington”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›