E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zhupa: PE kërkon shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka një datë për shqyrtimin e tij

TIRANË, 11 qershor/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot në seancën plenare se Kuvendi po miraton me procedurë të përshpejtuar projektligje të panevojshme, ndërsa nuk futet në rend dite kërkesa e ardhur nga Parlamenti Evropian për të shfuqizuar ligjin për zonat e mbrojtura.

Zhupa solli në vëmendje protestat e fundit kundër investimit në Zvërnec, ndërsa u shpreh se protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ligjeve që trajtojnë Shqipërinë si plaçkë.

“Nëse besoni se mandatet tuaja vijnë nga vota e qytetarëve, përgjigjuni atyre. Në të kundërt do t’ju përgjigjen ata juve. Do ta merrni përgjigjen siç po e merrni nga ata, çdo ditë e më të vendosur”, iu drejtua Zhupa deputetëve në Kuvend.

Zhupa theksoi se një nga kërkesat e protestuesve është për të mbrojtur zonat e mbrojtura, trashëgiminë natyrore dhe kulturore.

“Ju keni një projektligj të datës 14 maj për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Ishte një kërkesë e Parlamentit Evropian. Është i vetmi projektligj në kalendar që nuk ka një datë se kur do të shqyrtohet. Miratoni kalendar për gjëra të pavlera. Përgjigjjuni realitetit”, tha Zhupa.

Kuvendi i Shqipërisë në Seancë Plenare, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 6

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›