E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Qeveria po menaxhon krizën e naftës, opozita mungoi në votimin ndaj Iranit

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në seancën plenare të Kuvendit foli për situatën e çmimit të lartë të naftës, duke e lidhur atë me krizën në Lindjen e Mesme dhe bllokimin e Ngushticës së Hormuzit nga regjimi iranian.

Ai theksoi se Shqipëria sot blen naftë në bursë dhe rritja e çmimeve është pasojë direkte e zhvillimeve gjeopolitike.

Balla iu rikthye opozitës, duke i kujtuar mungesën në votimin e deklaratës ndëshkuese ndaj Gardës Revolucionare iraniane, ndërsa nënvizoi se parlamenti shqiptar ka mbështetur veprimet e administratës amerikane në goditjen ndaj regjimit të Iranit.

 “Është në turpin tuaj që keni munguar në Kuvend në deklaratën ndëshkuese ndaj regjimit dhe Gardës Revolucionare iraniane,” tha ai.

Sa i takon mekanizmave të brendshëm, Balla vuri në dukje se Bordi i Transparencës ka dhënë rezultate edhe më herët, si në rastin e krizës së shkaktuar nga sulmi rus ndaj Ukrainës.

Ai shtoi se qeveria është e gatshme të diskutojë nismat ligjore të opozitës, por jo në variantin e paraqitur prej tyre.

“Mos u mërzisni që i votojmë kundër, ne kemi nismat tona. Qeveria po bën punën e duhur për adresimin e kësaj krize botërore të çmimit të naftës,” u shpreh kreu i grupit socialist.

Në fund, Balla konfirmoi se më 30 prill do të zhvillohet një diskutim i posaçëm në Kuvend për çështjen e çmimit të naftës, duke e cilësuar si një temë që kërkon trajtim të gjerë dhe institucional.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›