E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Vendimi i PS-së për imunitetin e Ballukut nuk prek hetimin e SPAK

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se vendimi i grupit parlamentar të PS-së lidhur me imunitetin e Belinda Ballukut nuk e prek hetimin nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në një lidhje direkte me një studio televizive, Balla u shpreh se PS do që reforma në drejtësi të thellojë suksesin e vet.

“Ajo që kemi bërë publike sot është një vendim i duhur, në momentin e duhur sa i përket respektimit të normës kushtetuese. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka imunitet për askënd. Jemi ndër të paktat vende që e kemi këtë. Nuk ka imunitet për politikanët, për deputetët”, tha Balla.

Balla sqaroi se në rastin e Ballukut, hetimi i SPAK nuk preket nga mosdhënia e autorizimit.

“Akuza për të cilën, në fund të një procesi, nuk është vepër penale që mund të dënohesh me burg, mund të dënohesh edhe në forma të tjera. Ka një praktikë të konsoliduar në të gjitha rastet. Nuk e di çfarë ka ndodhur, pse SPAK ka kërkuar autorizim për arrestin”, u shpreh Balla.

Balla theksoi se Prokuroria është në të drejtën e vet të bëjë hetimin, por PS vlerësoi që kjo kërkesë nuk është bazuar në prova, pra që Balluku po prish prova.

“Nuk ka asnjë rrezik që mund të arratiset, ka treguar korrektësi dhe mbi të gjitha ajo që kemi thënë sot është i njëjti mesazh që kemi thënë gjithmonë. Balluku betejën do e bëjë vetë me avokatët e vet. Pse PS po mban qëndrim ndryshe? Është hera e parë që gjendemi para një vendimi të tillë për një vepër që mund të mos dënohet me burg. Akuza duhet të hetohet, por nuk përbën një akuzë të rëndë”, shtoi ai.

Balla theksoi se akuza është për shkelje të barazisë në tendera dhe për të gjithë rastet e tjera me këtë akuzë nuk ka pasur masë paraprake “arrest me burg” pa pasur vendim gjykate.

“Kuvendi është në të drejtën e vet që të enjten të mos e japë autorizimin”, theksoi Balla, ndërsa sqaroi se në procesverbalin e mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PS-së nuk rezulton asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim për vendimin e mosdhënies së autorizimit të kërkesës në fjalë.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›