E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla: Vota e Diasporës, moment historik për demokracinë

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu rikthye sot në Kuvend pretendimeve për manipulim të votës së diasporës nga ana e opozitës, duke thënë se e vërteta është që ata u mundën më 11 maj dhe do të munden edhe në zgjedhjet e ardhshme.

“Sa i përket votës së diasporës, ju kemi mundur në të gjithë botën. Nga Amerika në Kanada, nga Britania e Madhe në Evropë, po, do ti edhe në Australi dhe do ju mundim prapë edhe në 2029. Më vjen keq që nuk i kemi edhe për zgjedhjet vendore votat e diasporës,” deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist ia kujtoi opozitës se i kanë hetuar votat e diasporës për 4 muaj, një më një.

“Ju i jeni drejtuar Prokurorisë së Posaçme me kallëzim sa i përket asaj që është pjesë organizative e Partisë Socialiste në kuadër të fushatës zgjedhore për votën e diasporës. Keni marrë edhe përgjigjen e hetimit. Dhe mbi atë përgjigje të hetimit për mosfillim, nuk keni bërë as ankesën në Gjykatën e Posaçme, sepse procedura, sipas Kodit të Procedurës Penale, parashikon që kur pala nuk është dakord me vendimin, shkon dhe apelon”, shtoi Balla.

Sipas Ballës, opozita e ka pranuar kësisoj arsyetimin e bërë nga prokurori për mosfillimin e procedimit penal.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›