E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla dhe Berisha përplasen në Kuvend për kërkesat e protestuesve

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Debati për kërkesat e protestuesve dhe qëndrimet ndaj rezolutës së Parlamentit Evropian ka shkaktuar përplasje të forta mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës plenare të së enjtes.

Në fjalën e tij, Berisha hodhi poshtë pretendimet se lëvizja e protestuesve ka karakter antiamerikan apo anti Trump, duke theksuar se ajo lidhet me respektimin e shtetit ligjor dhe transparencën.

“Kjo nuk është lëvizje anti Trump. Kjo është lëvizje për shtetin ligjor, për transparencën, për ligjin ndërkombëtar. Nuk ka asgjë të përbashkët as me anti presidentin Trump, as me antizionizëm”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se Parlamenti Evropian kërkon me urgjencë tërheqjen e ndryshimeve të ligjeve që janë bërë në këtë parlament dhe kërkoi që Kuvendi të fokusohet tek kërkesat e ngritura nga protestuesit.

“Dhe Parlamenti Evropian kërkon me urgjencë tërheqjen e ndryshimeve të ligjeve që janë bërë në këtë parlament. Kërkon moratorium për çdo leje të re dhe për çdo veprim të ri para se të ndryshohet ligji”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, kundërshtoi pretendimet e opozitës për përfaqësimin e protestuesve dhe sfidoi Berishën që t’u bashkohej protestave.

“Unë të sfidoj, Sali Berisha. Sot pasdite dil në protestë. Shkon dot në protestë? Provoje po ta mbajti”, u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.

Balla tha se Berisha nuk mund të flasë në emër të protestuesve, duke kujtuar qëndrimet e tij në ditët e para të protestës.

“I fundit në këtë sallë që mund të flasë në emër të protestuesve është ky këtu. Ditën e parë të protestës i quajte sikur i kemi nxjerrë ne protestuesit. Ditën e dytë të protestës the që je kundër protestës”, deklaroi ai.

Deputeti socialist iu referua gjithashtu një kallëzimi penal të depozituar ndaj Berishës, duke thënë se një nga kërkesat e protestuesve ka qenë ndëshkimi i ish-kryeministrit.

“Protestuesit thonë: Sali Berisha në burg. Unë e kam bërë një kallëzim për ty dhe i ftoj protestuesit ta marrin në shqyrtim”, tha Balla.

Në vijim të debatit, ai kritikoi edhe përfaqësues të opozitës që kanë zhvilluar takime në Bruksel në emër të protestuesve.

“Pashë disa që thanë: kemi ardhur këtu në Bruksel për të sjellë kërkesat e protestuesve. Kush ju ka mandatuar juve? Në marrëdhënie me ata djem e vajza nuk kemi nevojë për ty si ndërmjetës. Je i fundit që mund të bësh ndërmjetësimin me protestuesit”, u shpreh Balla.

Debati u zhvillua gjatë shqyrtimit të një kërkese procedurale në Kuvend për tërhiqjen e rendit të ditës, dhe diskutimin e kërkesave të qytetarëve në protestë, ku shumica socialiste paralajmëroi se do ta rrëzojë atë, duke argumentuar se nuk ishte e formuluar sipas rregullores dhe nuk u shoqërua me argumente lidhur me objektin e kërkesës.

Por kreu i PD-së, Berisha deklaroi se opozita nuk mund të vijojë normalisht punën parlamentare pa u trajtuar kërkesat e protestuesve, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama me dorëheqje ose përmes një mocioni me debat në Kuvend.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›