Kuvendi kalon në votim pas debateve dhe bllokimit të seancës nga opozita

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kuvendi miratoi kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla për ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në votim të pikave të rendit të ditës, pas situatës së krijuar në seancën e sotme plenare.
Seanca plenare u shoqërua me debate të forta politike dhe tensione, pasi opozita bllokoi foltoren duke penguar disa herë vijimin normal të diskutimeve.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi bëri të ditur se ishte përpjekur për të siguruar vijimin normal të punimeve të seancës duke thirrur kryetarët e grupeve parlamentare për konsultime me qëllim zgjidhjen e ngërçit dhe rikthimin e debatit parlamentar sipas Rregullores.
“Kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës nuk kanë ardhur, pavarësisht se i kam ftuar për të diskutuar mbi zgjidhjen e ngërçit të seancës. Në kundërshtim me Rregulloren, seanca është bllokuar. Kemi një propozim nga kryetari i grupit të mazhorancës për ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në votim”, u shpreh Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Propozimi u miratua me 79 vota pro dhe 2 kundër, duke hapur rrugën për vijimin me votim të rendit të ditës pa diskutime.
Gjatë seancës pati debate mes kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, lidhur me protestat e qytetarëve dhe qëndrimet politike në Kuvend.
Berisha deklaroi se protestat nuk kanë karakter antiamerikan apo anti-Trump, por lidhen me kërkesat për shtet ligjor dhe transparencë, ndërsa Balla e kundërshtoi duke e sfiduar që t’u bashkohet protestave dhe duke theksuar se opozita nuk përfaqëson protestuesit.
Për shkak të bllokimit të foltores dhe tensioneve, punimet u ndërprenë disa herë.
Në rend dite ishin një sërë projektligjesh dhe projektvendimesh, përfshirë ndryshime në Kodin Rrugor, projektligjin për sektorin e energjisë elektrike, amnistinë, sigurimet shoqërore, si dhe ngritjen e disa nënkomisioneve parlamentare.
Po ashtu, Kuvendi parashikonte informimin mbi Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian në kuadër të negociatave të anëtarësimit.
/a.f/r.e/