Berisha: Parlamenti duhet t’i rikthehet agjendës së qytetarëve

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në Kuvend se Parlamenti nuk duhet të trajtojë asnjë çështje tjetër, përveç kërkesave të qytetarëve të shprehura në protestën e opozitës.
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, Berisha akuzoi drejtuesit e Kuvendit për censurim të pjesëve të fjalimeve të tij në procesverbal.
“Në procesverbal keni censuruar fjali të tëra për shkak të tmerrit që keni nga fjala ime. Por ato i kanë dëgjuar qytetarët”, u shpreh ai.
Berisha e cilësoi protestën e zhvilluar nga opozita si “më madhështoren në historinë e vendit” dhe tha se kërkesat e qytetarëve përbëjnë një agjendë që, sipas tij, ka marrë mbështetje edhe nga Parlamenti Evropian.
Sipas kreut të PD-së, Kuvendi duhet të tërheqë rendin e ditës dhe t’i rikthehet diskutimit të çështjeve që lidhen me kërkesat e protestuesve.
Ai shtoi se ky është detyrimi i Parlamentit për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve dhe situatës politike në vend.
“Gjithçka lexuat ju aty, nga e para tek e fundit, është një sfidë, është një karshillëk, është përçmim për protestën e qindra-mijëra shqiptarëve të cilët kanë një agjendë ndër më të drejtën që ka pasur ndonjëherë, agjendë që u mbështet fuqimisht nga Parlamenti Evropian dje. Ky Parlament nuk mund të trajtojë çështje tjetër përveç agjendës së qytetarëve. Ndaj dhe tërhiq rendin e ditës, t’i rikthehemi agjendës”, deklaroi Berisha.
/a.f/r.e/