E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla i përgjigjet Shehajt për “Zgjedhoren”: Komision më konsensual nuk ka pasur ndonjëherë

TIRANË, 27 tetor/ATSH-Maela Marini/ Ngritja e komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore u shoqërua me debate në Kuvend mes kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u shpreh se komisioni për Reformën Zgjedhore ka një qëllim të vetëm, të vrasë partitë e reja.

Shehaj akuzoi mazhorancën dhe opozitën se janë bërë bashkë për të ngritur një Komision për Reformën Zgjedhore, që sipas tij, ka për qëllim të vrasë partitë e reja.

Në fjalën e tij në Kuvend, Shehaj akuzoi PS-PD për bashkëpunim prej 35 vitesh, një bashkëpunim që, siç theksoi ai, po vijon me qëllim për të vjedhur qytetarët shqiptarë.

“Është e qartë, keni vetëm një qëllim, që pasi keni vjedhur së bashku për 35 vjet, të vazhdoni të vidhni së bashku. Kjo po ndodh edhe këtë do bëni. Dhe ky do jetë rezultati i këtij komisioni të turpshëm”, u shpreh Shehaj.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur pretendimeve të kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili deklaroi se komisioni i reformës zgjedhore nuk përfshin partitë e vogla.

Balla kujtoi se vetë Shehaj, që bën zhurmë, është anëtar i komisionit dhe se “komision më konsensual nuk ka pasur ndonjëherë”.

“Është e pamundur që në një komision të posaçëm të përfshihen të gjitha partitë politike. Në këtë rast, për herë të parë në historinë e komisioneve të posaçme të reformës zgjedhore janë përfshirë të gjitha partitë. Ata që e kanë parlamentin shkollë nate, si puna jote, nuk e kuptojnë këtë që po them unë, se ti nuk di të lexosh”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit socialist njoftoi gjithashtu se brenda dhjetorit do të jetë gati drafti për financimin e partive politike.

“Ajo që ka rëndësi për grupin parlamentar të Partisë Socialiste është që të ngrihet komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore dhe të hidhen menjëherë hapat që duhen.
Brenda 31 dhjetorit do të kemi gati draftin për ligjin e financimit të partive politike. Duhet t’i japim fund mënyrës sesi financohen partitë në këtë vend dhe të ngremë një standard të ri transparence për çdo qindarkë që marrin partitë politike, për t’i dhënë fund historive me miliona dollarë që paguhen për lobingje apo marrëveshje të dyshimta. Prandaj detyra e parë e këtij komisioni është kjo”, shtoi ai.

Balla falënderoi opozitën pas votimit të komisionit dhe theksoi se është e rëndësishme të ecet përpara me depolitizimin e komisioneve të administrimit të zgjedhjeve.

“Zgjedhjet e fundit treguan që partitë politike, të paktën nga njëri krah, e kanë humbur besimin tek numërimi i votave nga përfaqësues të partive. Prandaj duhet domosdoshmërisht të ecim drejt depolitizimit të komisioneve, dhe ti duhet të jesh i pari që ta mbështesësh këtë, sikurse e kërkon edhe OSBE”, tha Balla, duke iu drejtuar deputetit Shehaj.

Kuvendi në Seancë Plenare, Foto: Florian Abazaj, Andrin Hoxha 1 nga 18

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›