E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gogu: Opozita ka të drejtë të flasë pesë orë, mos bëni teatër

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu deklaroi sot në Kuvend se rregullorja parlamentare është e qartë dhe se opozita po përpiqet të krijojë “mjegull” për një kauzë që, sipas tij, nuk ekziston.

Në fjalën e tij, Gogu theksoi se procedurat për diskutimin e raporteve të institucioneve të pavarura janë të përcaktuara në mënyrë të detajuar nga rregullorja, teksa kundërshtoi kërkesën e opozitës për t’i drejtuar përfaqësueseve të institucioneve të drejtësisë pyetje direkte, të cilat nuk janë depozituar paraprakisht në Kuvend me shkrim.

“Raporton 20 minuta drejtuesi i institucionit të pavarur, lexohet projektrezoluta që është debatuar në komisione dhe fillojnë pyetje-përgjigjet e deputetëve. Si mund të pretendosh se një pyetje me shkrim nuk qenka e drejtë për të folur?”, tha Gogu.

Ai shtoi se opozita ka pasur mundësi të plota për të marrë pjesë në debatet parlamentare.

“I lamë fjalën opozitës që sot të bëjë pesë orë debat, dhe vjen e thotë që nuk e kemi lënë të bëjë pyetje. Nëse pyetjet shkruhen mirë dhe referohen saktë, pa dyshim që mund të vendosin përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë përpara përgjegjësisë”, deklaroi ministri.

Duke iu referuar kritikave të opozitës për procesin e miratimit të rezolutës për institucionet e drejtësisë, Gogu u shpreh se opozita po tenton të përdorë sallën e Kuvendit për qëllime politike.

“Opozita e ka nisur prej një viti gjyqin ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe kërkon ta bëjë atë këtu, në sallën e Kuvendit, për të përpirë çdo kompetencë që kjo shumicë i ka dhënë institucioneve të pavarura”, tha ai.

Sipas Gogu, shumica qeverisëse mbetet e vendosur të ushtrojë kontrollin parlamentar në mënyrë të ligjshme dhe transparente, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

“Ne besojmë se nëse institucionet kanë dosjet e tyre, kjo sallë ka politikat e mirëqeverisjes ndaj tyre. Ne do ta bëjmë këtë punë përmes ligjeve dhe përmes kontrollit parlamentar, që është edhe qëllimi i rezolutës që do të miratojmë së bashku”, përfundoi Gogu.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›