E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çela në Kuvend: 1130 procedime për ndërtime pa leje në vitin 2024, 400 të dënuar

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë raportimit në Kuvend për veprimtarinë e institucionit që drejton gjatë vitit 2024, foli edhe për ndërtimet pa leje në vend, duke bërë të ditura shifrat e procedimeve penale dhe të dënuarve për këtë vepër.

Çela tha se vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 1,130 procedime penale për ndërtim të paligjshëm, me 207 persona të pandehur, 358 çështje të dërguara për gjykim dhe 400 të dënuar. “Dukshëm ka një aktivitet që kryhet nga prokuroria për goditjen e fenomenit në bashkëpunim me institucionet përkatëse,” deklaroi ai.

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme theksoi se hetimet përfshijnë edhe përgjegjësinë e zyrtarëve të institucioneve të mbrojtjes së territorit, përfshirë Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT). “Sa herë që ka ndërtim të paligjshëm, duhet hetuar pse është lejuar ndërtimi dhe pse nuk është kryer detyra nga ata që janë përgjegjës. Në çdo rast potencialisht ka përgjegjësi nga subjektet e ngarkuara me mbrojtjen e territorit,” u shpreh Çela.

Ai shtoi se jo çdo shkelje administrative përbën automatikisht vepër penale, por theksoi rëndësinë e hetimeve të thelluara për zyrtarët që kanë lejuar ndërtimet pa leje. “Prokuroritë kanë një trajtim të shpejtë të rasteve, por mund të ketë edhe çështje që lidhen me mungesën e efikasitetit në hetimin e zyrtarëve që kanë lejuar ndërtimet e paligjshme,” përfundoi Çela.

Çela iu përgjigj pyetjes së deputetes Jorida Tabaku, lidhur me numrin e referimeve nga Drejtoria e Tatimeve dhe institucioneve të tjera të inteligjencës financiare për veprat penale të pastrimit të parave.

“Në vitin 2020, është riorganizuar puna përmes krijimit të seksioneve të posaçme për hetimin e këtyre veprave penale, në 7 prokurori kemi seksione të posaçme dhe në prokurori të tjera kemi prokurorë të dedikuar për hetimin e pastrimit të parave. Nuk mund ta specifikoj se ku gjenden këto apartamente apo sipërfaqe të sekuestruara, por ajo që ka rëndi është qasja pozitive në drejtim të organizimit të punës dhe efikasitetit të kësaj pune. Ka edhe shumë për të bërë në këtë drejtim. Presim më shumë kontribute nga Drejtoria e Tatimeve sa i përket referimit të veprave penale që lidhen me pastrimin e parave”, tha ai.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›