Balla në senatin italian: Vlerësojmë mbështetjen e pakursyer të Italisë, forcojmë bashkëpunimin parlamentar

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi sot një takim në Senatin Italian, duke konfirmuar edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Balla u prit nga Kryetarja e komisionit të Politikës së Jashtme dhe Mbrojtjes, Stefania Gabriella Anastasia Craxi.
Në takim morën pjesë edhe deputeti socialist Skënder Pashaj dhe ai demokrat Saimir Korreshi, si dhe ambasadorja e Shqipërisë në vendin fqinj, Anila Bitri Lani.
Mirënjohje për integrimin në BE
Pjesa qendrore e takimit ishte mbështetja e Italisë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Vlerësojmë mbështetjen e pakursyer të Italisë në rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian,” deklaroi Balla, duke e cilësuar Italinë si një “partner strategjik dhe mik të pandashëm”.
Të dyja palët ranë dakord për nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Bashkëpunim në çdo dimension
Gjatë bisedimeve u diskutua rritja e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Romës, duke përfshirë fusha të ndryshme si ekonomia, siguria, bashkëpunimi institucional dhe politik në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.
Një angazhim i veçantë u mor për forcimin e bashkëpunimit edhe në dimensionin parlamentar, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe koordinimin e politikave të përbashkëta.
/rtsh.al/