“Tema e Ditës” në RTSH- Alimehmeti analizon përballjen Binaj- Manastirliu për zgjedhjet në Tiranë: Kandidatja e PS një “déjà vu” me problemet e integritetit

I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, me moderator Arbër Hitaj, përfaqësuesi i PD-së, Ilir Alimehmeti, bëri një analizë kritike të kandidaturës së Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, duke e vënë përballë kandidatit të mbështetur nga opozita, Florian Binaj.
Kritika kryesore e Alimehmetit ishte ndaj kulturës politike të përdorimit të Tiranës si mjet për ambicie më të larta.
“Kryetari i bashkisë duhet të mendojë për qytetin dhe jo si të ngjitet më lart. Tirana përdoret si shkallë politike që t’i vendosësh këmbën për të hipur drejt kryesisë së partisë dhe në Kryeministri. Kjo duhet të marri fund,” theksoi Alimehmeti.
Përballë kësaj, ai e vendosi kandidatin e pavarur, Florian Binaj, i cili sipas tij, nuk e ka këtë ambicie dhe “vjen këtu për të qeverisur Tiranën dhe për t’i dhënë shërbimin që i duhet qytetarëve.”
“Déjà Vu” me problemet e integritetit
Kritika më e fortë u drejtua ndaj kandidates socialiste, Ogerta Manastirliu. Alimehmeti, megjithëse pohoi se PS ka shumë njerëz me integritet, sugjeroi se zgjedhja e bërë ka probleme që në fillesë.
“Ndërsa nga PS është një kandidate që hyn e del nga SPAK,” akuzoi Alimehmeti.
Ai bëri një paralelizëm të drejtpërdrejtë me kryetarin e mëparshëm, Erion Veliaj, duke e cilësuar këtë situatë si një “déjà vu”.
“Ne kemi një situatë ku po na bëhet një déjà vu e kryetarit të mëparshëm Veliaj, i cili në fillim shkonte në SPAK si person në dijeni. Pra që në fillim një kandidat me probleme,” përfundoi përfaqësuesi i PD-së.
/rtsh.al/