Balla për deklaratat e Berishës: Film i parë

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka reaguar sot ndaj deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha, pas rezultateve të votimit në 11 maj, ku Koalicioni PD-ASHM deri tani ka marrë 52 mandate, ndërsa PS ka arritur 82 mandate.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, është përfshirë deklarata e Berishës, i cili u shpreh sot gjatë një konference për shtyp, se “ky është fillimi i një beteje, e cila nuk ndalet më”.
Balla e ka etiketuar videon me komentin “film i parë”, ndërsa në të është bashkëngjitur edhe një deklaratë e ish-kreut të Partisë Demokratike në vitin 2021, Lulzim Basha, i cili pas humbjes së zgjedhjeve do të deklaronte: “Beteja vetëm ka filluar”.
“PD ka statutin dhe do t’i përmbahet atij, por ka disa parime eprore dhe një nga këto parime është vota e lirë e shqiptarëve. Kjo parti vazhdon betejën për votën e lirë të shqiptarëve”, u shpreh Berisha ditën e sotme, gjatë konferencës për shtyp me gazetarët.
/a.f/