E Martë, 3 Nëntor 2026

KAS pranon kërkesën e PS, Logu: Votat nga Greqia do të veçohen deri në garantimin e transparencës

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Partia Demokratike reagoi pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) që pranoi ankimimin e Partisë Socialiste për të mos veçuar numërimin e votave të Greqisë.

Marash Logu, përfaqësues i PD-së u shpreh gjatë një prononcimi për mediet nga Parku Olimpik, aty ku po zhvillohet numërimi i zarfeve të ardhura nga diaspora, se votimi në Greqi është i manipuluar.

“Ajo që unë duhet t’ju them fillimisht ka të bëjë me çështjen e votave apo zarfeve që kanë ardhur nga Greqia. Ka dy fakte që ne i dimë, siç e dimë, se që sot ka diell përjashta. Fakti i parë ka të bëjë me faktin që në shkelje flagrante të kontratës që operatori i shërbimit postar DHL kishte lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk e ka kryer vetë procedurën e shpërndarjes dhe marrjes në dorëzim të zarfeve zgjedhore që vijnë nga Greqia, por e ka bërë me nënkontraktim. Ndërkohë që në kontratë thuhej shprehimisht, nuk lejohet nënkontraktimi”, tha ai.

“Pra, i gjithë ky proces është kryer së pari, ka filluar me një shkelje flagrante të kontratës nga operatori i shërbimit postar. Elementi i dytë dhe mund t’i referoni për këtë, apo fakti i dytë, dhe mund t’i referoni edhe shifrave zyrtare që ka dhënë KQZ-ja, nga data 17 prill deri në datën 4 maj, ne nga Greqia kemi pasur vetëm 17 mijë zarfe, me mesatare ditore rreth 1 mijë zarfe në ditë”, pohoi Logu.

Sipas përfaqësuesit të PD-së në datën 4 maj, ka një deklaratë të kryeministrit në Gjirokastër, që thotë se procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit në Greqi u bë mish-mash. “Jo UPex, jo Spedeksi, jo DHL-ja, kështu me radhë. Po atë ditë, drejtuesi politik i Partisë Socialiste, së bashku me grupe patronazhimi janë nisur drejtë Greqisë dhe ju keni parë pamjet se është shfaqur edhe vetë për mediat, nga pika të caktuara nga qendra të caktuara të DHL-së në Greqi, herë në Athinë, herë në Selanik, herë në Kretë, herë në Kavalla, për të angazhuar marrjen në mënyrë të paautorizuar nga patronazhistë të Partisë Socialiste të zarfeve që kishin shkuar për zgjedhësin shqiptar në Greqi për t’i plotësuar dhe dërguar në Shqipëri”, tha Logu.

“Dhe nga data 5 maj deri në datën 11 maj për 6 ditë, ne kemi parë 36 mijë zarfe që kanë ardhur nga Greqia. Nga 1 mijë zarfe në ditë, shkuam në 6 mijë zarfe. Kjo anomali në vlerësimin tonë nuk shpjegohet ndryshe, përveçse me manipulimin që i është bërë votuesve shqiptarë që jetojnë në Greqi, votuesve nga diaspora që jetojnë në Greqi. Jeni të gjithë dëshmitarë, pamjet janë transmetuar në media, në rrjetet sociale dhe kudo, se si në Greqi është shkelur masivisht protokolli i sigurisë”, tha ai.

Sipas tij, protokolli i sigurisë parashikonte që zarfi t’u shkonte në shtëpi njerëzve ose ata ta tërhiqnin vetë, por kjo nuk ka ndodhur.

“Kemi video deri me qindra zarfe, i njëjti person, i plotësonte dhe i dorëzonte vetë, pa u identifikuar askund dhe pa nënshkruar askund. Ne i kemi kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve na vër në dispozicion të gjitha nënshkrimet e 53 mijë zarfeve që kanë ardhur nga Greqia, sepse në qoftë se nuk provohet që këta zgjedhës i kanë marrë personalisht zarfet me materialet zgjedhore dhe po personalisht i kanë kthyer pranë pikës së shërbimit postar, atëherë në këtë rast, këta zgjedhës, këto, jo këta zgjedhës në fakt, po këto zarfe materiale zgjedhore nuk mund t’i nënshtrohen as numërimit dhe as vlerësimit, qofshin vota për këdo subjekt megjithëse ju e kuptoni shumë mirë se për këtë subjekt kanë qenë këto vota”, tha Logu.

Logu më tej tha se zarfet nga Greqia nuk do të numërohen deri sa të ketë transparencë nga DHL mbi origjinën e zarfit.

“Numëruesit tanë dhe vëzhguesit tanë janë të qartë. Për çdo zarf që ka ardhur nga Greqia, zarfi B ku lexohet shteti dhe qarku, do të veçohet sepse konsiderohet një zarf I kontestuar, do ti kalojë KZAZ dhe po ashtu, edhe aty do ta kontestojmë dhe për vendimarrjen finale do të jetë KQZ që do të shprehet.

KAS rrëzoi procedurën administrative të vendosur nga komisioneri Celibashi, pra nëse zarfët do të lihen mënjëanë. Por, në çdo tavolinë numërimi në Shqipëri, kur një numërues konteston fletën e votimit, ndërpritet procesi, zarfi në këtë rast i kalohet KZAZ dhe pritet vendimi i saj, dhe nëse KZAZ nuk arrijnë në një vendim, pastaj i kalon në KQZ. Kjo është ajo që ndodh në të gjithë Shqipërinë.  Kjo do të ndodh edhe këtu deri kur të na jepet prova që zarfi është marrë personalisht nga zgjedhësi. Në atë rast s’kemi asnjë problem dhe asnjë shqetësim. Në rast të kundërt s’do t’ja nënshtrojmë numërimit. Për këtë janë aty grupet e numërimit.

Nuk kemi për qëllim ta ndërpresim apo bllokojmë numërimin, as ta pezullojmë. Votat e të gjithë diasporës shqiptare, 190 000 vota hiq ato të Greqisë do të numërohen. Për 53 000 votat e Greqisë kemi kërkuar të veçohen, të sigurohemi se janë shprehje e vullnetit të lirë të shtetasve shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe më pas sapo të vërtetohet kjo, edhe ato vota do të numërohen”, tha Logu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›