E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla pret sipërmarrësin shqiptaro-kanadez që dëshiron të investojë në Shqipëri

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtues politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla, priti sot në Kuvend sipërmarrësin shqiptaro-kanadez Luan Xhaferri, një nga përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Toronto, Kanada.

Balla përshëndeti interesin e sipërmarrësit Xhaferri për të investuar në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një sinjal pozitiv për lidhjen e diasporës me vendin.

“Është për t’u përshëndetur dhe lavdëruar iniciativa dhe dëshira e Luanit për të investuar në Shqipëri në disa projekte që po i konkretizon hap pas hapi”, tha Balla.

Duke vlerësuar rolin e diasporës shqiptare, Balla theksoi se komuniteti shqiptaro-kanadez është shndërruar vit pas viti në një komunitet të respektuar dhe të suksesshëm.

“Në Toronto, Kanada është krijuar prej fillim viteve ’90, duke u rritur vit pas viti, një komunitet i respektuar bashkatdhetarësh, të cilët shkëlqejnë me integrimin e tyre të plotë dhe suksesin në shumë fusha”, u shpreh Balla.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›