E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla reagon pas protestave në Nju-Jork: Janë të paguar, nuk kanë lidhje me shqiptarët e Amerikës

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot pas protestave me të cilat është përballur kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit të tij në Nju-Jork.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla hodhi akuza ndaj disa prej personave që janë shfaqur në protestat kundër kryeministrit, duke pretenduar se ata nuk përfaqësojnë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe se janë paguar për të zhvilluar këto veprime.

“Këto tre-katër që shfaqen kudo të njëjtët, njëri prej tyre një M.M., i njëjti edhe para dy vitesh në Nju Jork edhe në Londër, pastaj në Bulevard me ditë të tëra, janë persona me emra të ndryshuar dhe histori shtëpish bari”, shkruan Balla.

Ai pretendon më tej se personat në fjalë “nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët e Amerikës” dhe se “janë paguar” për të protestuar.

Reagimi vjen pasi kryeministri Rama është përballur me protesta gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Pamjet e publikuara tregojnë disa protestues që lëshojnë thirrje kundër tij, ndërsa hedhin edhe vezë në drejtim të Kryeministrit.

Balla, i cili ndodhet gjithashtu në SHBA, është përballur drejtpërdrejt me një prej protestuesve pranë hotelit ku qëndronte delegacioni. Në pamjet e publikuara, personi i drejtohet Ballës me pyetje dhe akuza lidhur me kostot e qëndrimit, ndërsa socialisti nuk ndalet për t’iu përgjigjur.

“Ndërsa Kryeministri Rama mbron në Nju Jork çlirimtarët dhe flet për Shqipërinë Europiane, këta i bëjnë hyzmetin atyre që i paguajnë”, shkruan Balla.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›