Balluku: Turizmi dentar, potencial për nxitjen e turizmit në tërësi

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Klinika dentare ‘Azalea Aesthetic’, në Lushnjë është kthyer në një destinacion i turizmit dentar.
Zëvendëskryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, drejtuese politike e PS-së për Qarkun e Fierit, vizitoi nga afër këtë qendër, që falë stafit të specializuar dhe investimeve të reja në aparatura dhe pajisje, ofron shërbime dentare cilësore.
Klinika e ndërtuar para 5 viteve, ka 40 dhoma me 40 poltronë dentarë dhe dy laboratorë. Atë e frekuentojnë gjerësisht jo vetëm qytetarët e bashkisë Lushnjë, por edhe qytetarë të huaj.
Mjeku sipërmarrës i kësaj klinike thotë se, “95% e klientëve këtu janë të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga Italia. Sot janë 300 italianë që rrinë në Lushnjë, akomodohen dhe mesatarisht rrinë 7 deri 10 ditë, për kryerjen e ndërhyrjeve dentare, në varësi të problemit dhe rikthehen dy-tre në tri herë në varësi të tipologjisë së punës që kanë për të bërë”.
Ai tregon se, krahas zhvillimit të turizmit detar, malor, kulturor etj., po merr hov dhe ai dentar.
Balluku vuri në dukje se turizmi në vendin tonë, po shënon eksperienca të mira ashtu siç është rasti i Turqisë, ku, siç tha ajo, “pavarësisht turizmit detar e kulturor, është pikërisht ai shëndetësor, sektori që i ka dhënë mbështetjen më të madhe zhvillimit të turizmit në tërësi aty”.
Ajo e cilësoi turizmin “lokomotivë” të zhvillimit zinxhir të një sërë sektorësh të ekonomisë, teksa nënvizoi turizmin dentar nënsektorin potencial të nxitjes së turizmit në tërësi, që përveç shërbimit shëndetësor nesër, siç tha Balluku, “ato mund të kthehen nga pacientë, në klientë të turizmit shqiptarë”.
Balluku u njoh dhe me nivelin e pagave dinjitoze që ofron kjo klinikë për stafin e saj, që varion mesatarisht nga 1 mijë deri 1500 euro, ndërsa të punësuarit janë të rinj dhe reja stomatologe që janë nga rrethe të ndryshme të vendit.
/a.f/r.e/