Bangladesh, presidenti shpërndan parlamentin dhe i hap rrugën zgjedhjeve

Presidenti i Bangladeshit shpërndau të martën parlamentin duke i hapur rrugën zgjedhjeve të reja për të zëvendësuar kryeministren prej shumë kohësh, e cila dha dorëheqjen dhe u largua nga vendi pas disa javësh demonstratash kundër sundimit të saj, të cilat përfunduan në trazira të dhunshme.
Presidenti Mohammed Shahabuddin urdhëroi gjithashtu lirimin e liderit të opozitës Khaleda Zia nga arresti shtëpiak. Zia, një rival i kryeministres së rrëzuar Sheikh Hasina, u dënua me akuza për korrupsion nga qeveria e Hasinës në vitin 2018.
Rrugët e Dakës ishin më të qeta sot, pa raportime për dhunë të re, ndërsa protestuesit e ngazëllyer mbushën rezidencën e liderit të rrëzuar.
Disa pozuan edhe me selfie me ushtarët që ruanin ndërtesën ku një ditë më parë protestuesit e zemëruar kishin plaçkitur mobilje, piktura, vazo me lule madhe edhe pula.
Ndërsa vendi priste që të dilte një qeveri e re, një udhëheqës kyç i studentëve tha se protestuesit donin që laureati i çmimit Nobel për Paqe, Muhamed Yunus të kryesonte një qeveri të përkohshme.
Yunus, i cili aktualisht ndodhet në Paris për Lojërat Olimpike, e quajti dorëheqjen e Hasinës “ditën e dytë të çlirimit të vendit”.
Ai nuk mund të kontaktohej menjëherë për të komentuar, por udhëheqësi i studentëve Nahid Islam tha se Yunus kishte rënë dakord.
/ rtsh.al /