E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore paralajmëron ngadalësim ekonomik në Ballkanin Perëndimor, Malaj: Shqipërisë i duhet zhvillim i qëndrueshëm

Një raport i fundit i Bankës Botërore tregon se ekonomia shqiptare dhe ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të ngadalësohen në vitet në vijim, duke ngritur shqetësime për zhvillimin ekonomik dhe ndikimin mbi mirëqenien e qytetarëve.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ish-ministri i Financave, profesor doktor Arben Malaj, theksoi se raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të Bankës Botërore, sinjalizojnë një rritje ekonomike, por me sfida të qarta strukturore.

Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron vetëm te niveli i rritjes ekonomike, por te cilësia dhe qëndrueshmëria e saj.

“Rritja ekonomike nuk është vetëm përqindja 3%, 4% apo 6%, por është cilësia e saj. Na duhet një rritje që të krijojë vende pune, të ulë borxhin dhe të përballojë krizat”, u shpreh Malaj.

Ai theksoi se ekonomia globale po përballet me kriza të shumta, përfshirë ato gjeopolitike, energjetike dhe të çmimeve, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt edhe në vendet e rajonit.

Sipas Malajt, një tjetër problem i rëndësishëm është rritja e pabarazisë ekonomike dhe përqendrimi i pasurisë në pak duar, fenomen që sipas tij po thellon polarizimin social.

“Ekonomia prodhon pasuri, por ajo nuk po shpërndahet në mënyrë të drejtë. Kjo krijon zhgënjim dhe rrit varfërinë”, tha ai.

Duke komentuar rolin e sektorëve ekonomikë, Malaj u shpreh se turizmi, pavarësisht rritjes së tij, nuk mund të jetë baza e vetme e zhvillimit ekonomik të vendit, nëse nuk shoqërohet me zhvillim të bujqësisë dhe prodhimit vendas.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në bujqësi, infrastrukturë dhe mbështetje për sipërmarrjen, duke shtuar se politikat publike duhet të jenë më efektive dhe të orientuara drejt rezultateve reale.

Në përfundim, Malaj vuri theksin te roli i arsimit dhe shëndetit publik si dy shtylla kryesore për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë, duke i cilësuar ato si faktorë vendimtarë për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›