E Diel, 1 Nëntor 2026

Si llogariten pensionet këtë vit? Eksperti: Indeksimi i ri nuk është rritje, por rillogaritje. Garanton trajtim më të drejtë

Qeveria ka miratuar një vendim të ri për mënyrën e llogaritjes së pensioneve për vitin 2026, duke aplikuar një indeksim prej 6.4% mbi bazën e përllogaritjes. Masa synon të reflektojë më mirë kontributet e qytetarëve dhe të përshtatë pensionet me rritjen e kostos së jetesës.

Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare ka fuqi për të gjithë periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2026 dhe prek vetëm qytetarët që dalin në pension gjatë këtij viti.

Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, gjatë një interviste për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, shpjegon se ndryshimi lidhet me përditësimin e koeficientëve të indeksimit të pagave.

Sipas Hoxhës, këta koeficientë përdoren për të sjellë pagat e viteve të kaluara në vlerën aktuale, duke i bërë ato të krahasueshme dhe duke garantuar një trajtim më të drejtë për qytetarët që dalin në pension në vite të ndryshme.

“Ligji i sigurimeve shoqërore parashikon që çdo vit të ndryshojnë koeficientët e indeksimit të pagave, sepse qytetarët për kontribute të njëjta duhet të trajtohen njësoj. Këta koeficientë shërbejnë për të sjellë pagat e viteve të kaluara në vlerën e sotme”, tha ai.

Eksperti Hoxha thekson se indeksimi nuk përbën një rritje të drejtpërdrejtë të pensionit me 6.4%, por është një mekanizëm teknik që përmirëson mënyrën e përllogaritjes së tij. Në praktikë, masa e pensionit varet nga vitet e sigurimit, niveli i pagave dhe kontributet e derdhura ndër vite.

“Kjo nuk është rritje 6.4% e pensionit, por është një mekanizëm teknik që përdoret për të përllogaritur më drejt pensionin, duke reflektuar punën dhe kontributet e mëparshme”, tha ai.

Për vitin 2026, mosha e daljes në pension mbetet 65 vjeç për burrat dhe 62 vjeç për gratë, ndërsa për pension të plotë kërkohen rreth 39 vite sigurime.

Eksperti paralajmëron se dalja në pension të parakohshëm shoqërohet me penalizime të ndjeshme.

 “Pensioni i parakohshëm shoqërohet me një ulje prej 0.6% për çdo muaj. Nëse dikush del tre vite para kohe, përfitimi ulet me rreth 21.6% dhe kjo mbetet e përhershme”, u shpreh eksperti.

Sa i përket vlerave, pensionet mbeten të lidhura ngushtë me kontributet. Hoxha thekson gjithashtu nevojën për ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve për sigurimet shoqërore. Ndërkohë, një problem serioz mbetet mungesa e të dhënave për kontributet e viteve 1994–2011, që sipas ekspertit prek shumë qytetarë.

“Një qytetar që ka paguar sigurime minimale mund të përfitojë rreth 24 mijë lekë pension. Me paga mesatare shkon rreth 30 mijë lekë, ndërsa për paga të larta ka kufizime në skemë. Qytetarët duhet të kontrollojnë nëse kanë periudha të pambuluara dhe t’i plotësojnë sa nuk është vonë. Po ashtu, duhet të mendojnë edhe për sigurime shtesë, për të mos pasur rënie të fortë të të ardhurave në pension”, tha Hoxha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›