E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim zv. drejtoreshën dhe disa mjekë

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin mbi abuzimet në Spitalin Onkologjik të QSUT dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona, mes tyre zëvendësdrejtoreshën, koordinatorë, mjekë, specialistë si dhe një administrator të një kompanie farmaceutike.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Fshehje të të ardhurave” dhe “Tregtim e transportim të mallrave kontrabandë”, duke u përballur me akuza për orientimin e pacientëve drejt klinikave private, sabotimin e pajisjeve të trajtimit dhe përfitime të paligjshme nga shërbimet mjekësore.

Hetimet kanë zbuluar se pacientë të diagnostikuar me sëmundje tumorale nuk merrnin trajtimin e duhur në spitalin shtetëror, por orientoheshin drejt klinikave private ku kryheshin shërbime me tarifa të fryra, ndërkohë që trajtimi duhej të ofrohej falas nga QSUT.

Koordinatori E.L. dhe administratorja A.P. akuzohen se kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në orientimin e pacientëve, duke përfituar përqindje monetare.

Gjithashtu, hetimet kanë konstatuar se aparatura e Kobalto-Terapisë, e instaluar në Spitalin Onkologjik, nuk është vënë në funksion për shkak të mungesës së një bunkeri antiradioaktiv, duke u lënë në kushte të papërshtatshme dhe duke rrezikuar personelin mjekësor.

 Zv.drejtoresha B.Q. akuzohet se nuk ka marrë masat e nevojshme për garantimin e funksionimit të sigurt të pajisjes, duke kufizuar mundësitë e trajtimit për pacientët.

Specialistja D.K. akuzohet se ka hartuar një ekspertizë të pasaktë mbi menaxhimin e burimeve radioaktive, çka ka sjellë porositjen e një burimi kobalti që nuk është përdorur, duke shkaktuar dëm ekonomik për institucionin.

Ndërkohë, H.G., administrator i një klinike, akuzohet se ka fshehur të ardhurat duke mos lëshuar fatura tatimore për shërbimet e kryera dhe duke lejuar mjekë të punojnë pa regjistrim ligjor.

Së fundmi, F.M., administrator i kompanisë farmaceutike “Flori Farma”, akuzohet për tregtimin e barnave kontrabandë, konkretisht të produktit “Valamor”, pa pullë të AKBPM-së dhe me barkod të dëmtuar.

Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër Krimit Ekonomik e Financiar, ka dokumentuar këto shkelje dhe ka dërguar dosjen në gjykatë, duke akuzuar të pandehurit për veprat penale të konsumuar sipas ligjit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›