Banka Qendrore e Rusisë padit “Euroclear”: Mban asetet e ngrira që BE t’i përdorë për Ukrainën

Komisioni Evropian po bën presion për të shfrytëzuar rreth 200 miliardë euro nga asetet e Bankës Qendrore të Rusisë që blloku i bllokoi pas sulmit të Moskës ndaj Ukrainës në vitin 2022, me qëllim që t’i sigurojë Kievit mbështetje financiare.
BE-ja është e vendosur të arrijë një marrëveshje përfundimtare në një samit javën e ardhshme, por përballet me rezistencë nga Belgjika, ku ndodhet selia e institucionit financiar Euroclear, që mban shumicën e fondeve ruse, pasi i druhet hakmarrjes nga Moska.
Të premten, Banka Qendrore e Rusisë tha se planet e Bashkimit Evropian për të përdorur asetet e ngrira ruse për Ukrainën janë të paligjshme.
“Mekanizmat e përdorimit të drejtpërdrejtë apo tërthorazi të aseteve të Bankës së Rusisë, si dhe çdo formë tjetër e përdorimit të paautorizuar të aseteve të Bankës së Rusisë, janë të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë shkeljen e parimeve të imunitetit sovran të aseteve”, tha institucioni financiar rus, ndërsa njoftoi se po ngrinte padi kundër Euroclear në Gjykatën e Arbitrazhit të Moskës.
“Veprimet e Euroclear shkaktuan dëme në Bankën e Rusisë për shkak të pamundësisë për të menaxhuar fondet dhe letrat me vlerë që i përkasin Bankës së Rusisë, shtoi banka.
Vendet e G7-ës kanë përdorur tashmë interesin e fituar nga asetet e ngrira ruse për të financuar një kredi prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Rusia e ka cilësuar prej kohësh ngrirjen e aseteve si të paligjshme dhe ka thënë se çdo hap i mëtejshëm për të përdorur fondet e saj do të ishte vjedhje.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/