E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bankers Petroleum”, GJKKO lehtëson masat e sigurisë për 4 të pandehur (EMRAT)

Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masat e sigurisë për 4 prej të pandehurëve të dosjes “Bankers Petroleum”.

Konkretisht për Leonidha Çobon, Hong Ping Xiao, Ardit Kero dhe Lianyi Wang, nga “arrest në shtëpi”, u vendos masa e sigurisë ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim për tu paraqitur.

Kërkesa për zëvendësimin e masave të sigurisë u kërkua nga vetë dy prokurorët e posaçëm Enkelejda Millonai dhe Anita Jella për shkak se i ka kaluar afati 9 mujor i paraburgimit ndërkohë që vetë avokatët kërkuan shuarjen totale te masës.

Mbi këta 4 persona rëndojnë akuzat “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”.

Aksioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit, ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend.

“Bankers Petroleum” dyshohet se ka krijuar skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›