E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Zvërnecit mbështesin zhvillimin e zonës përmes investimeve në turizëm

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Perspektiva e zhvillimit të Zvërnecit përmes investimeve në turizëm po mbështetet nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit lokal, i cili e sheh transformimin e zonës si një mundësi për të krijuar vende të reja pune, për të rritur aktivitetin ekonomik dhe për t’i dhënë një impuls të ri zhvillimit të Vlorës.

Banorë dhe sipërmarrës të zonës kanë shprehur vazhdimisht bindjen se potenciali i jashtëzakonshëm natyror i Zvërnecit, duhet të shoqërohet me investime që sjellin më shumë vizitorë, më shumë të ardhura dhe më shumë mundësi për komunitetin.

Në diskutimet e zhvilluara me Kryeministrin Rama, banorët që mbështesin projektin nënvizuan se janë në favor të zhvillimit dhe modernizimit të zonës, duke kërkuar njëkohësisht respektimin e ligjit dhe trajtimin e drejtë të çështjeve që lidhen me pronësinë.

“Nuk ka asnjëri që të thotë këtu që s’jemi dakord të bëhet ky investim. Ky investim është shumë i mirë, sepse investimet kur pasojnë njëri-tjetrin janë shumë të mira. Të zhvillohet zona. Ne e dimë ç’do të thotë zhvillimi i zonës, se kemi 25 vite që po e zhvillojmë një pjesë të asaj zone”, u shprehën ata gjatë takimit.

Përfaqësues të biznesit lokal vlerësuan se investimet e mëdha në turizëm krijojnë mundësi të reja për sipërmarrjet vendase, rrisin kërkesën për shërbime dhe produkte lokale dhe kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe të kushteve të jetesës në zonë.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama sqaroi se nuk ka ende një projekt dhe se çdo propozim i bërë do të shqyrtohet me fokus të veçantë në mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetit dhe pasurive natyrore të zonës.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›