E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Kontrolli parlamentar është dobësuar, mazhoranca nuk respekton as Gjykatën Kushtetuese

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian (KPSA), tha se kontrolli parlamentar është dobësuar.

Sipas Bardhit, opozitës i janë refuzuar kërkesat për komisione hetimore, si dhe të paktën shtatë interpelanca.

“Kryeministri, në një vit të kësaj legjislature, nuk ka pranuar asnjë interpelancë apo kërkesë për llogaridhënie nga opozita. Janë shtatë kërkesa të tilla në një vit, që Kryeministri ka refuzuar t’u përgjigjet”, tha Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së ngriti edhe shqetësimin për mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës.

“Shumica parlamentare rimiratoi një ligj, i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese plot tri herë, duke injoruar standardet që kjo Gjykatë i kishte lënë detyrë Kuvendit. Kryeministri bëri të qartë në seancë plenare se Gjykata Kushtetuese mund të kontrollojë dhe shfuqizojë një ligj, por nuk na detyron ne se si do të votojmë”, tha Bardhi.

“Për ne, deputetët e opozitës, Shqipëria nuk do të bëhet europiane vetëm duke miratuar ligje me emra europianë. Shqipëria bëhet europiane kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europiane”, tha Bardhi.

Ai nënvizoi se objektivi nuk duhet të jetë vetëm mbyllja e kapitujve. “Objektivi duhet të jetë të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë, një Shqipëri me institucione më të forta, me Parlament më të fuqishëm”, përfundoi Bardhi.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›