Bardhi: Me mbrojtjen e Ballukut rrezikohet procesi i integrimit në BE

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot në Kuvend, ku u diskutuan ndryshimet ligjore në Shërbimin e Jashtëm të propozuar nga qeveria, se Shqipëria po rrezikon integrimin në Bashkimin Evropian për shkak të mbrojtjes që, sipas tij, po i bëhet zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga mazhoranca.
Bardhi tha në fjalën e tij se Shërbimi i Jashtëm është shndërruar në një strehë pensionimi për ish-deputetët e Partisë Socialiste.
“Nëse hap listën e ambasadorëve të Shqipërisë, 70% e tyre, ambasadorë jashtë vendit sot, janë individë me histori politike, deputetë të PS”, tha Bardhi.
Kreu i grupit të PD-së tha se reforma në shërbimin e jashtëm do të ishte më e besueshme nëse qeveria do të kishte informuar parlamentin mbi problematikat që, sipas tij, po has integrimi i vendit në BE për shkak të mbrojtjes që po i bëhet zv.kryeministres Belinda Balluku.
“Do ta kishim besuar synimin tuaj për të sjellë këtë ligj për të ngritur nivelin e shërbimit të jashtëm, po të mos shihnim sesi ambasadorët duartrokisnin kryeministrin gjatë fushatës zgjedhore të 11 majit të vitit të shkuar.
Do të kishim besuar reformën në shërbimin e jashtëm, nëse ju, zonja ministre, nuk do të flisnit për suksese imagjinare të kryeministrit me atlete të bardha, por të informonit se si procesi i integrimit evropian është marrë peng nga rasti i korrupsionit të zëvendëskryeministres tuaj”, tha Bardhi.
“Pse na flisni për suksese imagjinare të hapjes së kapitujve dhe nuk na informoni për mbledhjen e dy javëve më parë të grupit COELA, ku Shqipërisë i është bërë e qartë se s’do të ketë asnjë hap përpara në procesin e integrimit nëse Kuvendi kthehet në strehë apo bunker të zyrtarëve të lartë të korruptuar.
Nuk do të ketë asnjë hap përpara nëse Kuvendi nuk i heq imunitetin zëvendëskryeministres suaj. Përse e mbani të fshehur këtë informacion? Hapja e kapitujve nuk është sukses, sukses është t’i mbyllësh ato”, tha Bardhi.
“Meqë përmendët themeloret, shteti ligjor është baza e atij procesi. Ju keni vendosur që për një rast konkret, jo vetëm ta shkelni shtetin ligjor në vend, por edhe të pengoni procesin e integrimit në BE të Shqipërisë.
Serbia ka hapur e mbyllur kapituj, Mali i Zi po ashtu. Por ju, nuk pyesni për procesin e integrimit në BE kur bëhet fjalë për fatin politik të Edi Ramës, se e dini fare mirë që pas Belinda Ballukut qëndron fati politik i Edi Ramës. Integrimin në BE e keni propagandë të pastër. Në cilën tryezë vendimmarrëse na ka ulur qeveria juaj gjatë këtyre viteve? Asnjë! Kjo qeveri ka zvarritur prej 14 vitesh procesin e integrimit në BE.
Ky është testi juaj, duke iu referuar rastit të Ballukut, jua tha edhe kryetari i komisionit të jashtëm të PE. Pse nuk thoni që do ta kalojmë dhe s’do të mbrojmë asnjë zyrtar nga veprimet e prokurorisë? Nuk e thoni dot, pasi fati juaj politik është në duart e fatit të Belindës, pasi çdo veprim i saj bëhet me urdhër të Ramës.
Pse nuk e informoni parlamentin për shqetësimin që kanë partnerët për ngecjen e Porto Romanos? Pse nuk e informoni Kuvendin për shqetësimin që kanë autoritetet gjermane për dosjen e AKSHI-t?”, vijoi më tej fjalën Bardhi.
Duke u kthyer tek ligji i ri, Bardhi tha se “nuk vuan sot shërbimi i jashtëm për një ligj të ri. Shqipëria ka diplomatë karriere të nderuar. Por janë të keqpaguar, keqtrajtuar, të pambështetur dhe shpesh në vështirësi, siç ishte edhe ambasadori ynë në COELA, kur nuk dinte ç’të thoshte kur përfaqësuesit e BE i thonin se nuk hedhin asnjë hap përpara pa trajtuar çështjen e Ballukut”.
Bardhi shtoi se shqetësimi i shërbimit të jashtëm nuk është marrja e një note kaluese në testin që do të bëjë ministrja Elisa Spiropali, por krimi i organizuar dhe korrupsioni.
“Mos mbroni korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shqiptarët duan të zgjedhin të ardhmen e tyre të lirë, pa presionin e bukës së gojës apo krimit të organizuar”, përfundoi ai.
/a.f/r.e/