E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali i përgjigjet Bardhit: Shqipëria do t’i mbyllë kapitujt për anëtarësim në BE brenda vitit 2027

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, replikoi sot në Kuvend me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë diskutimeve mbi ndryshimet ligjore në Shërbimin e Jashtëm të propozuara nga qeveria.

Spiropali theksoi se draftraporti i ri për Shqipërinë, i cili do të prezantohet në Parlamentin Europian, vlerëson progresin e vazhdueshëm të vendit në zbatimin e reformave, duke përfshirë reformën në drejtësi.

Ajo shtoi se raporti evidenton precedentët e Shqipërisë për hapjen e negociatave dhe pritshmëritë për mbylljen e tyre brenda vitit 2027.

“Raporti i ndërmjetëm i ‘Themeloreve’ tregon se ne kemi përmbushur të gjitha detyrat dhe presim që ai të miratohet shumë shpejt, duke hapur rrugën për mbylljen e kapitujve. Të jeni të sigurt se në vitet 2026 dhe 2027 Shqipëria do t’i mbyllë kapitujt për anëtarësim në BE, duke mobilizuar të gjitha energjitë, kapacitetet dhe sakrificat e saj, si dhe gjithë udhëheqësinë në reformën në drejtësi, të cilën nuk e kishin ndërmarrë vendet e tjera,” deklaroi ministrja.

Ajo theksoi se progresi i Shqipërisë nuk mund të krahasohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi ato gjykohen me një metodologji tjetër.

“Ne duam që të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara në procesin e integrimit në BE, por përparësia dhe progresi që Shqipëria ka bërë me metodologjinë e re ‘Themeloret’ nuk krahasohet me asnjë vend tjetër në rajon”, shtoi Spiropali.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, shprehu shqetësim se Shqipëria po rrezikon integrimin në Bashkimin Evropian për shkak të mbrojtjes që Kuvendi dhe PS, sipas tij, po i bëjnë zëvendëskryeministres Belinda Balluku në kuadër të hetimit të ngritur nga SPAK.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›