E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Shqipëria duhet të mbrojë pastërtinë e UÇK-së, ose historia do të na gjykojë

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se nuk ka një raport të ri të veçantë për Shqipërinë në Parlamentin Europian, por një rezolutë të përvitshme që bazohet në gjetjet e Komisionit Europian.

Sipas tij, draftrezoluta e këtij viti është ndër më pozitivet ndër vite, pasi vlerëson progresin në procesin e integrimit dhe konfirmon avancimin në hapjen e të gjithë grupkapitujve të negociatave.

Ai theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 varet nga zbatimi i reformave dhe nga ulja e polarizimit politik, duke përshëndetur angazhimin për bashkëpunim në komisionet e posaçme për reformën zgjedhore dhe territoriale.

Balla u ndal edhe te zhvillimet në politikën e jashtme, duke e cilësuar si ditë të rëndësishme për Shqipërinë mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në Uashington, iniciuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, ku kryeministri Edi Rama është përzgjedhur si një ndër folësit kryesorë.

Ai e konsideroi këtë një arritje të madhe për marrëdhëniet me SHBA-në dhe për rolin e ri ndërkombëtar të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Balla renditi si suksese përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, presidencën e OSBE-së dhe përgatitjet për samitin e NATO-s në Tiranë, duke kërkuar votimin e ligjit për shërbimin e jashtëm si pjesë e përgatitjes për anëtarësimin në BE.

Në fund, ai ngriti çështjen e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar të papranueshme akuzën ndaj UÇK si ndërmarrje kriminale. Sipas tij, Shqipëria ka përgjegjësi morale dhe politike të mbrojë pastërtinë e luftës çlirimtare dhe pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ai theksoi se, sipas tij, mbrojtja e historisë së UÇK-së është detyrim kombëtar dhe politik për përfaqësuesit shqiptarë në çdo kontakt me ndërkombëtarë.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›