Bardhi: Ndryshimet e propozuara nga PS-ja për pagat e magjistratëve janë puç kushtetues

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit se mazhoranca po shkel Kushtetutën e Shqipërisë me ndryshimet ligjore të propozuara në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Bardhi tha se projektligji lidhet me sistemin institucional dhe kushtetues të vendit, duke akuzuar mazhorancën se po sfidon rendin kushtetues.
“Projektligji që po diskutojmë sot ka të bëjë me shtetin shqiptar, me sistemin institucional dhe kushtetues të Shqipërisë. Ju keni vendosur jo të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni rendin kushtetues në vend”, tha Bardhi.
Sipas tij, propozimet, të cilat synojnë moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të gjyqtarëve, përbëjnë “një puç kushtetues”.
“Keni vendosur të vazhdoni një puç kushtetues të nisur që në vitin 2017 lidhur me këtë çështje. Ju s’po refuzoni thjesht të njihni vendimin e Kushtetueses, por të vini në pikëpyetje themelet që mbajnë në këmbë Republikën e Shqipërisë”, u shpreh ai.
Bardhi akuzoi gjithashtu qeverinë se prej shtatë vitesh “po luan” me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Qeveria dhe kjo shumicë kanë shtatë vite që luajnë me pagat e gjyqtarëve e prokurorëve. I trajtojnë ato sikur të jenë në xhepin e majtë të xhaketës së Ramës dhe nxirren vetëm kur do kryeministri”, tha Bardhi.
Deklaratat u bënë gjatë diskutimit sot në Kuvend të ndryshimeve në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
/a.f/r.e/