E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bardhi: Negociatat me BE kanë ngecur për shkak të mbrojtjes së korrupsionit

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi procesin e integrimit europian, duke e akuzuar se po pengon negociatat me Bashkimin Europian për shkak të mbrojtjes së korrupsionit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se “negociatat kanë ngecur”, pasi sipas tij, qeveria nuk ka arritur të sigurojë miratimin e vendeve anëtare për ecurinë e reformave.

Ai thekson se, pa këtë miratim, Shqipëria nuk mund të mbyllë kapitujt e negociatave dhe as të realizojë objektivin për anëtarësim në një afat të shpejtë.

Sipas Bardhit, Kryeministri nuk duhet të shmangë përgjegjësinë politike duke e deleguar atë tek strukturat teknike apo ministrat, por duhet të japë llogari për arsyet e ngecjes së procesit.

Duke krahasuar ecurinë e Shqipërisë me atë të Malit të Zi, Bardhi nënvizon se ky i fundit po përparon më shpejt në negociata, ndërsa Shqipëria, sipas tij, “ka mbetur në vendnumëro”.

Në reagimin e tij, ai ngre dy pyetje kryesore ndaj Kryeministrit: nëse ngecja e negociatave lidhet me mbrojtjen që, sipas tij, Rama i ka bërë zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe nëse ka pasur presion ndaj sistemit të drejtësisë.

Bardhi thekson se procesi i integrimit në Bashkimin Europian nuk lidhet vetëm me përmbushjen formale të reformave, por edhe me zbatimin e tyre dhe ndërtimin e besimit me vendet anëtare.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›