E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Parlamenti po përdoret si mburojë politike kundër drejtësisë, më 12 mars flasin qytetarët

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot për raportin e Partisë Socialiste, për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, ku sipas tyre nuk ka vend për ndryshimin e masës së sigurisë.

Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, Bardhi theksoi se “korrupsioni po paraqitet si viktimë, ndërsa drejtësia shpallet fajtore”.

Sipas Bardhit, Kryeministri në “vend që të përgjigjej për provat e SPAK-ut dhe abuzimet me 11 tenderat prej 1.1 miliardë euro, zgjodhi të sulmojë drejtësinë dhe të përdorë Parlamentin për ta penguar atë”.

Bardhi theksoi se objektivi i kryeministrit Edi Rama ishte që të “diskreditojë prokurorin e çështjes dhe SPAK-un, si dhe të minimizojë rëndësinë e provës së përgjimeve”.

Sipas Bardhit, vendimi i mazhorancës socialiste është “një vendim politik” për të mbrojtur pushtetin.

Ai shtoi se “qytetarët meritojnë të dinë gjithashtu se, për herë të parë që nga krijimi i SPAK-ut, një kërkesë e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për hetimin e abuzimit me fondet publike në nivelet më të larta të pushtetit po refuzohet politikisht nga shumica parlamentare, jo mbi bazën e një analize juridike, por mbi bazën e një mbrojtjeje të hapur politike nga Kryeministri i vendit”.

Bardhi tha se “në një shtet ligjor askush nuk duhet të mbrohet nga drejtësia për shkak të pushtetit që ka”.

Sipas tij Shqipëria nuk ka nevojë për një Parlament që përdoret si mburojë politike kundër drejtësisë, por Shqipëria ka nevojë për institucione që garantojnë barazinë para ligjit.

“Çfarë mesazhi u kemi dërguar sot vendeve të Bashkimit Evropian, që na kërkojnë sundimin e ligjit dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta? E them me bindje: jo pasaportë evropiane, por as pasaportë iraniane nuk marrim me këtë standard, ku hetimi nuk përcaktohet nga prokuroria, por nga Gjykata supreme e mazhorancës qeverisëse”, tha Bardhi.

Bardhi tha se “kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve”. Ai ftoi qytetarët që të protestojnë më 12 mars para Parlamentit, duke theksuar se “Shqipëria nuk është peng i askujt”.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›