E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Në etiketimin e produkteve me ndikim në energji do të vendoset edhe ndikimi në mjedis

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural shqyrtoi dhe miratoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji’”, nismë e deputetit Ceno Klosi.

Gjatë prezantimit të nismës, Klosi theksoi se ndryshimet synojnë zgjerimin e fushës së ligjit ekzistues duke përfshirë për herë të parë kërkesat e projektimit ekologjik për produktet me ndikim në energji.

Sipas tij, nisma ka tre objektiva kryesore strategjikë: harmonizimin me direktivat e Bashkimit Evropian mbi projektimin ekologjik, uljen e ndikimit mjedisor të produkteve gjatë gjithë ciklit të jetës së tyre, si dhe rritjen e sigurisë dhe konkurrueshmërisë së produkteve në tregun shqiptar.

Klosi theksoi se deri më tani ligji parashikon detyrimin për etiketimin e detajuar të produkteve, por nuk rregullon mënyrën se si këto produkte projektohen. Sipas tij, ndryshimet vijnë si domosdoshmëri për të përfshirë edhe aspektin e projektimit ekologjik krahas etiketimit të produkteve me ndikim në energji.

Projektligji parashikon përfshirjen e konceptit të projektimit ekologjik dhe ciklit të jetës së produktit, si dhe vendos detyrime të reja për operatorët ekonomikë, përfshirë hartimin e dosjeve teknike të detyrueshme për produktet. Gjithashtu, rritet roli i autoriteteve doganore në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit dhe i jepen kompetenca qeverisë për miratimin e akteve zbatuese.

Në projektligj parashikohen edhe sanksione të reja për shkeljet e kërkesave të projektimit ekologjik, me gjoba deri në 350 mijë lekë.

Sipas nismëtarit, zbatimi i këtij ligji pritet të ndikojë pozitivisht në ekonomi, duke rritur konkurrueshmërinë, nxitur inovacionin dhe standardizuar tregun. Po ashtu, pritet të kontribuojë në uljen e ndotjes së mjedisit dhe të kostove të energjisë për familjet shqiptare. Ndërkohë, projektligji nuk parashikon efekte shtesë në buxhetin e shtetit.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkeleda Muça, shprehu mbështetjen e qeverisë për këtë nismë, duke theksuar se ajo është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe me procesin e negociatave për anëtarësim, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 15 që lidhet me energjinë.

Muça u shpreh se projektligji synon të forcojë kuadrin rregullator për etiketimin dhe projektimin ekologjik të produkteve me ndikim në energji, duke kontribuar në përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›