Bardhi: Progresraporti i KE-së evidenton probleme me demokracinë dhe korrupsionin - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot pas publikimit të raportit të progresit të vitit 2026 të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si raportin më negativ ndër vite.
“Në raportprogresin e vitit 2026 për Shqipërinë, Komisioni Europian skanon keqqeveriesjen e Edi Ramës. Ky është raporti më i zi në gjitha vitet e vlerësimit. Rruga drejt Bashkimit Europian kërkon demokraci funksionale, institucione të pavarura, respektim të Kushtetutës, llogaridhënie dhe garanci reale për të drejtat e opozitës dhe të qytetarëve”, theksoi ai.
Në deklaratën e tij, Bardhi u shpreh se raporti evidenton një sërë problematikash që lidhen me funksionimin e Parlamentit, të drejtat kushtetuese të opozitës, korrupsionin dhe pavarësinë e institucioneve.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime për mosfunksionimin demokratik të Kuvendit, moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga shumica parlamentare, si dhe për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, ku sipas tij evidentohet cenimi i parimit të barazisë përpara ligjit.
“Evidenton mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës. Evidenton se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë. Evidenton shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Evidenton moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Bardhi.
Bardhi renditi gjithashtu si problematika të evidentuara në raport nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, pasigurinë e krijuar për njësitë e vetëqeverisjes vendore nga reforma territoriale dhe administrative, si dhe politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura.
Ai ngriti shqetësime edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit vetëm me votat e shumicës qeverisëse si dhe nevojën për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies në Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
“Evidenton se Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e shumicës qeverisëse, duke thyer traditën e konsoliduar të konsensusit ndërpartiak. Evidenton që Qeveria ka ndërmarrë nisma ligjore që nuk përputhen me acquis-in e BE-së dhe standardet europiane, përfshirë miratimin e një ndryshimi në ligjin për portet turistike. Evidenton nevojën për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, tha ai.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së i lidhi problematikat e renditura edhe me protestat e zhvilluara ditët e fundit.
“Të gjitha këto janë arsye për të cilat studentët, të rinjtë, qytetarët shqiptarë, protestojnë prej ditësh e muajsh tashme. Këto problematika nuk i zgjidh dot Edi Rama, që është shkaku i tyre. Prandaj zëri i të rinjve duhet të dëgjohet. Shqipëria ka nevojë për largimin e Edi Ramën, ka nevojë për një qeveri kujdestare që përgatit vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE”, tha ai.
/m.q/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
