Kurti: Pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur - ATSH -
PRISHTINË, 4 nëntor/ATSH/ Kryeministri, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim dhe të nisë sa më shpejt procesi i negociatave.
Në konferencën për media pas prezantimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, Kurti tha se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik dhe afatgjatë i vendit, duke theksuar se ky proces gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe konsensus ndërpartiak.
Ai vlerësoi se pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur, pasi vendi vazhdon të jetë i vetmi në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.
“Integrimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik dhe afatgjatë, siç edhe nënvizohet në raport. Ky përkushtim ka mbështetje të lartë dhe të qëndrueshme të popullsisë dhe gëzon konsensus të gjerë ndërpartiak. Megjithatë, pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë… Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Pas një muaji bëhen katër vjet që nga koha kur kemi dorëzuar aplikimin. Pavarësisht kësaj, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat. Përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, tha ai.
Duke komentuar gjetjet e raportit, kryeministri Kurti tha se bllokada institucionale ka ndikuar në ngadalësimin e reformave. Ai tha se kjo situatë ka vonuar ratifikimin e marrëveshjes në kuadër të Planit të Rritjes dhe ka lënë një numër ligjesh në pritje të miratimit.
Sipas Kurtit, në disa fusha progresi gjatë këtij viti ka qenë më i ngadalshëm se në vitin paraprak, por kjo nuk nënkupton regres.
Ai theksoi se Komisioni Evropian nuk ka konstatuar rënie të nivelit të përgatitjes së Kosovës në asnjë fushë.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
