“Merresh me internime, por me ty tallen dhe gardianët e burgut”/ Veliaj mesazh Ramës nga qelia: Rritu, mos më akuzo kot për terrorizëm. Nuk më përkul dot as nëse më çon në SPAÇ

Përplasja mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryeministrit Edi Rama është thelluar më tej, me akuza të reja që lidhen me presione politike, kërcënime për akuza penale dhe pretendime për përfshirje në organizimin e protestave studentore.
Nga paraburgimi në Fier, Veliaj ka bërë publike përgjigjet që pretendon se ia ka dhënë ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një takimi në institucionin e vuajtjes së dënimit. Kryebashkiaku akuzon Ramën se po përdor transferimin e tij në burg dhe kërcënimet me pasoja të tjera penale për ta detyruar të tërhiqet nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
Në reagimin e tij, Veliaj e cilëson ministrin Gogu si përcjellës të mesazheve të kryeministrit, ndërsa shprehet se izolimi dhe largimi nga familja nuk do ta detyrojnë të dorëzohet.
“E kuptoj që je veç lajmësi, jo autori – s’të vë faj ty, mbetesh miku im, pavarësisht rolit. Turp që KM merret vetë me internimet. Nëse R. mendon se duke më larguar dhe izoluar nga familja bëhet i madh – he belittles himself – dhe gardianët në burgje e tallin. Bëtë goditje të madhe, për të dalë kaq të vegjël, pity”, shkruan Veliaj.
Akuzat bëhen edhe më të forta kur kryebashkiaku pretendon se Rama po ndërhyn në çështjen e tij penale, duke diskutuar me prokurorët për numrin e akuzave dhe vitet e mundshme të dënimit.
Veliaj shprehet se nuk do të pranojë asnjë formë presioni, edhe nëse transferohet në një tjetër institucion paraburgimi.
“Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem. Çfarë ‘nderi’ duhet t’i njoh KM? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr? ǒa dmth hera e fundit si baba? Kërcënim? Kjo e prok që thua ‘duan të më hanë të gjallë, e më duan të vdekur’ është turp për ju që bëni këto muhabete”, deklaron ai.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit lidhet me protestat studentore që po zhvillohen prej muajsh në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Veliaj mohon kategorikisht të ketë lidhje me organizimin apo financimin e tyre, ndërsa pretendon se gjatë komunikimeve me të janë përmendur edhe akuza për terrorizëm dhe përpjekje për rrëzimin e rendit kushtetues. Sipas tij, pretendime të tilla janë absurde, duke qenë se ndodhet në paraburgim dhe nuk ka mundësi të drejtojë aktivitete protestuese.
“Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm. Kur ruaja unë Tiranën nga dhuna 54 javë digjej bashkia s’ju akuzoja ju dhe pse digjej BT me molotovë e s’lëvizi gishtin kush. Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet KM? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA”, shkruan Veliaj.
Kryebashkiaku këmbëngul se nuk mund të jetë pjesë e veprimeve që synojnë dëmtimin e institucioneve që ka drejtuar për vite me radhë. Në këtë kontekst, ai kritikon edhe përbërjen e qeverisë, duke pretenduar se ministrat aktualë nuk kanë përvojë në opozitë dhe nuk e njohin historinë e përballjeve politike të Partisë Socialiste.
Veliaj kujton pjesëmarrjen e tij në protestat e socialistëve, përfshirë ngjarjet e 21 janarit, grevën e urisë dhe periudhën e zgjedhjeve vendore të vitit 2011, kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës.
“Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia. Po ju s’keni nga ta dini, keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë. Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në ‘28 janar’ (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm”, deklaron ai.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb