E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Shtyrja pa afat e Këshillit të Mandateve për Ballukun, akt për të penguar drejtësinë

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se shtyrja pa afat e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për çështjen “Balluku” është akt politik që synon të pengojë drejtësinë.

Në cilësinë e përfaqësuesit të opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Bardhi bashkë me katër anëtarët e tjerë të opozitës në këtë Këshill, zhvilluan një konferencë për mediet ku dënuan me forcë shtyrjen e mbledhjes pa një afat të përcaktuar.

“Dënojmë me forcë aktin e paprecedentë që Kryetari i Kuvendit bëri gjatë mbledhjes së djeshme, gjatë shqyrtimit të kërkesës për t’i dhënë Prokurorisë së Posaçme autorizimin për të kërkuar në gjykatë arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Peleshi ka shtyrë mbledhjen pa caktuar një afat se kur do ta marrë në shqyrtim kërkesën”, tha Bardhi.

Ky, sipas tij, “është një akt politik i urdhëruar nga Rama për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin”.

Bardhi theksoi se përfaqësuesit e opozitës në Këshill kanë kërkuar me forcë mbledhjen një orë e më parë të Këshillit të Mandateve për të miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

“Bashkëndajmë shqetësimin që prokurorët informuan dje në Kuvendin se çdo ditë në liri e Ballukut nënkupton cenim të hetimeve, prishje të provave dhe intimidim të dëshmitarëve. Për herë të parë kërkesa e prokurorisë përveçse është argumentuar ligjërisht mbështetet nga një numër i konsiderueshëm me rreth 80 prova, me mijëra fare që provojnë se kërkesa e prokurorisë është e mbështetur ligjërisht dhe nuk ka asnjë të dhënë për akuzë politike”, tha Bardhi.

Sipas tij, “SPAK ka marrë të pandehur Ballukun për tenderin e tunelit të Llogorasë, e ka person nën hetim për një nga lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, si dhe për 9 procedura të tjera ku përfshihen 9 procedura për unazën e Tiranës, koncesioni i Thumanë-Kashar dhe dy procedura prokurimi për mirëmbajtje rrugësh”.

“Totali i 11 procedurave korruptive kap vlerën e mbi 1 miliard euro. Ky është rasti i parë ku një zyrtar i lartë që akuzohet për korrupsion me 11 procedura, që ka paracaktuar çdo fitues, tentohet të zvarritet, të blihet kohë dhe tentohet të pengohet drejtësia”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se Parlamenti ka një procedurë standarde të kohës së arsyeshme brenda së cilës shqyrton kërkesat e Prokurorisë së Posaçme.

“Këshilli është mbledhur në të gjitha rastet brenda 48 orëve, i ka dhënë kohë maksimumi 72 orë personit nën hetim dhe brenda 72 orëve të ardhshme ka miratuar kërkesën në seancë plenare. Ky është rasti i parë ku mbyllet një mbledhje e Këshillit të Mandateve pa caktuar një mbledhje tjetër”, tha Bardhi.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›