Basha: Zgjedhja e Rashiçit është në përputhje me Kushtetutën

PRISHTINË, 21 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha duke komentuar ankesën e fundit të Listës Serbe për zgjedhjen e Nenad Rashiçit si nënkryetar i Kuvendit, ka deklaruar se e drejta për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese ekziston, por e drejta ligjore për të fituar në këtë rast nuk ekziston.
Basha tha se për atë si kryetar i Kuvendit edhe në seancën e parafundit ka konstatuar se Kuvendi ishte konstituar. “Në seancën e fundit i ofrova mundësinë shumicës serbe që t’i ofrojnë emrat, nëntë prej tyre nuk i morën votat e mjaftueshëm. Do të ishte antikushtetuese nga unë nëse nuk do t’i jepja mundësinë Nenad Rashiçit. Ky ishte deputeti i dhjetë serb. Unë e hodha votim sepse në të kundërtën do të ishte diskriminim”, tha ai.
Ai shtoi se e drejta për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese ekziston por e drejta ligjore për të fituar nuk ekziston. Sipas tij, zgjedhja e Rashiçit është në harmoni të plotë me Kushtetutën, ligjet dhe rregulloren e Kuvendit, ka thënë ai për RTK.
“Nuk mendoj që gjykata kushtetuese ka rast. Unë nuk besoj që do të ketë masë ndalese nga Kushtetuesja për shkak se iu është dhënë mundësia nëntë deputetëve, nuk ka marrë votat, i dhjeti i ka marrë”, tha ai.
/Kosovapress/