Basha në Kavajë: Vetëm Koalicioni Euroatlantik është për luftën kundër korrupsionit

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha zhvilloi sot takim në qytetin e Kavajës ku u ndal tek oferta që po u bën Berisha kavajasve, me kandidatë që, sipas tij, përfaqësojnë rikthimin e politikës së vjetër dhe të inkriminuar.
Basha tha se problemi është që kësaj radhe, vota për Berishën nxjerr Vis Roshin deputet.
Sipas tij, edhe pse thonë se është ‘çuni i xhajës’, realisht është rikthimi i të njëjtit model që është larguar me ligjin për dekriminalizimin. Ai gjithashtu tha se bashkëpunimi mes Berishës dhe Ilir Metës nuk përfaqëson asnjë zgjidhje për korrupsionin e qeverisë Rama
Basha më tej u bëri thirrje qytetarëve të votojnë numrin 4, duke theksuar se vetëm Koalicioni Euroatlantik ka programin dhe vullnetin për ta çuar deri në fund luftën kundër korrupsionit.
Ai tha se më 11 maj zgjedhja është e qartë: O me Edi Ramën dhe shokët e tij, o me Shqipërinë dhe të ardhmen europiane.
“Të jesh me Kavajën, s’mund të jesh kurrë me Edi Ramën. Dhe për fat të keq kësaj radhe s’mund të jesh as me 1-in, se del Vis Roshi deputet me 1-shin. Vetëm Koalicioni Euroatlantik qëndron me vepra në luftë kundër korrupsionit dhe pas 11 majit do bëjë gjithçka që edhe pjesa tjetër të shkojë para drejtësisë”, u shpreh Basha.