E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Bizneseve iu premtoj vendosjen e taksës së sheshtë 10 %

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim elektoral në njësinë numër 14 në Tiranë, e njohur si zona e Astirit, ku edhe bëri prezantimin e kandidatëve për “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për qarkun e Tiranës.

Berisha theksoi se për të rinjtë që duan të shkojnë në universitete do të hiqet mesatarja.

“U jap fjalën këtyre të rinjve se mesatarja për universitete do hiqet që vitin që vjen. Në shtator nuk do ketë mesatare. Se tarifat do të jenë 4 herë më të ulëta. Se bursa do jetë 200 euro. Se pas mbarimit të shkollës, çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do t’i paguhet një vit sigurimet e tij shoqërore dhe të gjitha shpenzimet për kualifikimet e tyre”, tha Berisha.

Ndërkaq, duke prezantuar programin për “Shqipërinë Madhështore”, Berisha theksoi se, çiftet që bëhen me tre fëmijë nuk do paguajnë asnjë qindarkë kredi, do ua paguajë shteti.

“Të rinjtë që dëshirojnë të hapin biznese do përfitojnë grante, kredi të buta dhe për çdo çift të ri një çati. Qeveria do garantojë grante 30 mijë euro me të cilat çiftet e reja do paguajnë interesin e kredisë. Çiftet që bëhen me tre fëmijë nuk do paguajnë asnjë qindarkë kredi, do ua paguajë shteti”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej se “bizneseve të Astirit dhe mbarë Shqipërisë u premtoj vendosjen e taksës së sheshtë 10 % nga 23% që është. Uljen e TVSh-së në 15 %. Uljen e çmimit të energjisë elektrike në 6 lekë. Përgjysmimin e tarifës së ujit. Ndalimin me ligjin të bashkive, të cilat nuk do mund të vendosin kurrë më shumë se 1% të xhiros taksa lokale për bizneset”.

“Garantoj bizneset e vogla se përveç energjisë dhe ujit, hapësira publike që u shitet me 1500 lekë do zbresë në 120 lekë. Se tavanet për tatimfitimin dhe TVSH-në do rriten nga 100 mijë dhe 140 mijë që janë sot, në 180 mijë euro. Biznesi pra do ketë klimën më miqësore, do mund të shtojë investimet dhe punësimin”, theksoi Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›